Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Onana i gatshëm të nderojë trashëgiminë e portierëve kamerunas

Duke ndjekur gjurmët e Joseph-Antoine Bell, Thomas Nkono e Jacques Songo'o, Përfaqësuesja e Kamerunit ia ka besuar portën Andre Onanas në Kupën e Afrikës, portier që shpërtheu edicionin e fundit në Evropë.

Gjëja e jashtëzakonshme për portierin Onana është se edicioni i tij që filloi vitin e shkuar në raundin e dytë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve nuk ka përfunduar ende, shkruan AFP, transmeton “Koha Ditore”. Ai do të jetë pjesë e Kamerunit në Kupën e Afrikës që ka nisur ditë më parë.

Edhe pse Onana është i dërrmuar, insiston se ka përjetuar diçka të jashtëzakonshme gjatë kësaj periudhe - një aventurë epike evropiane përgjatë të cilës Ajaxi arriti deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, duke eliminuar ekipe si Real Madridi e Juventusi.

Në fund, Onana kampionatin në Holandë e mbylli me titull dhe kupë, por kjo nuk është e mjaftueshme për të. 23-vjeçari pas sukseseve me Ajaxin po kërkon edhe titullin e kampionit të Kupës së Afrikës. Ai po shpreson që më 19 korrik ta ngritë trofeun e këtij turneu të rëndësishëm kontinental.

“Synimi ynë është që ta mbrojmë këtë trofe. E kam parasysh se nuk do të jetë e lehtë, pasi të gjitha ekipet janë të forta, por unë besoj në ekipin tonë. Pres që edicionin e gjatë dhe të suksesshëm që nisi vitin e shkuar ta mbylli muajin e ardhshëm me këtë trofe”, ka thënë Onana.

Edhe Dy ndeshje për portierin Onana brenda 24 orëve Sport Dy ndeshje për portierin Onana brenda 24 orëve

Kameruni bën pjesë në Grupin F, të cilin e përbëjnë edhe Gana, Benini e Guinea-Bissau. Në ndeshjen e parë, ka shënuar fitore ndaj Guinea-Bissaut, kurse ndeshjen e dytë e luan të shtunën (sot) kundër Ganës.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)