Bayern Muencheni synon të vazhdojë trendin aktual të skuadrave të Bundesligës që fitojnë në udhëtim prapa dyerve të mbyllura kur do të përballet me Borussia Dortmundin, një ndeshje kjo shumë e rëndësishme që mund të vendosë edhe për titullin e kampionit këtë edicion. Kjo përballje është edhe derbi i xhiros së 28-të, e cila nis të martën (sot).
Dueli mes Dortmundit dhe Bayernit luhet në stadiumin “Signal Iduna Park” dhe nis prej orës 18:30. Aktualisht Bayerni është lider në Bundesligë me 61 pikë të tubuara, katër më shumë se Dortmundi që zë vendin e dytë. Në fakt, këto dy skuadra këtë edicion që rifilloi javë më parë pas pezullimit në muajin mars nga koronavirusi po luftojnë për titullin e kampionit.
"Për ne kjo është një javë shumë vendimtare", këmbëngul sulmuesi i Bayernit, Thomas Mueller.
Bayerni pati një “seancë stërvitore” vikendin e shkuar ndaj Eintracht Frankfurtit që e mposhti bindshëm me rezultatin 5:2, kurse të shtunën pas derbit me Dortmundin do të përballet me Fortuna Duesseldorfin që po lufton për mbijetesë në Bundesligë.
“Ne duam t’i regjistrojmë tri fitore brenda një jave”, insistoi Mueller.
Prejse Bundesliga rifilloi para dhjetë ditëve prapa dyerve të mbyllura për shkak të koronavirusit, përparësia e ekipeve në shtëpi fare pak ka ardhur në konsideratë, pasi dhjetë prej 18 ndeshjeve të luajtura deri më tash i kanë fituar skuadrat mysafire. Bayerni dhe Dortmundi janë në mesin e vetëm tri klubeve - tjetri është Hertha Berlini – që kanë fituar si vendës që nga rifillimi i garave. Bayerni që drejtohet nga Hansi Flick është i uritur për ta vazhduar trendin e fitoreve dhe të konfirmojë sundimin ndaj Dortmundit, ekip të cilin në ndeshjen e parë të këtij edicioni të luajtur në nëntor e mposhti 4:0.
“Me padurim presim duelin me Dortmundin. Shpresoj se mund të tregojmë forcën tonë edhe në këtë ndeshje dhe të largohemi nga stadiumi i Dortmundit me buzëqeshje në fytyre”, shtoi Mueller.
Stadiumi “Signal Iduna Park” normalisht do të ishte i mbushur me 82 mijë tifozë për një vizitë të ekipit të Bayernit, por tribunat do të jenë të zbrazëta këtë herë, shkruan agjencia AFP.
"Do të jetë akoma punë e vështirë për të dyja palët, sepse nuk do të ketë atmosferë", tha Mueller.
Sulmuesi i krahut te Dortmundi, Raphael Guerreiro, është në formë të mirë, me tre gola të shënuar në dy ndeshjet e tij të fundit, përfshirë këtu edhe fitoren 2:0 ndaj Wolfsburgut fundjavën e shkuar. Ylli Portugez gjithashtu shënoi dy herë në fitoren 4:0 në derbin kundër Schalkes. Te Dortmundi është në dyshim qendërmbrojtësi Mats Hummels, kurse nuk është e sigurt as paraqitja e mesfushorëve Axel Witsel e Emre Can për shkak të lëndimeve. Te Bayerni mund të mungojë Thiago Alcantara, kurse në ndeshjen e fundit është lënduar Jerome Boateng. Dortmundi është i etur për ta mposhtur Bayernin ndaj të cilit triumfoi 2:0 në shtëpi për ndeshjen e Superkupës në muajin gusht të vitit të shkuar derisa në kampionat fitoren e fundit e ka regjistruar në nëntor të vitit 2018 – 3:2...