Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Nuhiu dhe Limani presin ndeshje të vështirë kundër Deçiqit

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, dhe kapiteni, Ardian Limani, presin ndeshje të vështirë kundër skuadrës së Deçiqit, në duelin e kthimit të fazës së parë të Ligës së Konferencës.

“Për dallim nga ndeshja e parë, tanimë e njohim kundërshtarin. Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe rezultati nga ndeshja e parë nuk do të thotë asgjë për ne. Ekipi i Deçiqit ka individë shumë cilësor, por ne do mundohemi që ta bëjmë më të mirën e mundshme dhe të arrijmë qëllimin tonë”, ka thënë Nuhiu, njofton faqja zyrtare e Dritës.

Kapiteni Limani deklaroi se fokusi i skuadrës është vetëm të ndeshja me Deçiqin. Sipas tij, Drita nuk po e mendon ende përballjen me mundshme me Feyenoordin.

“Jo aspak, në mendjen tonë e kemi vetëm ekipin e Deçiqit. Duhet të bëjmë ç’mos që ta kalojmë këtë ekip sepse ka shumë kualitet dhe janë ekip shumë cilësor. Ne fokusohemi nga ndeshja në ndeshje dhe nesër do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për ne por besoj që jemi të përgatitur mjaft mirë dhe shpresojmë që të kalojmë tutje”, ka deklaruar Limani.

Ndeshjen e parë të luajtur në Prishtinë e ka fituar Drita me rezultat 2:1. Dueli i dytë zhvillohet të enjten prej orës 20:45 në Podgoricë.