Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Notarët të fundit në Evropian, por thyejnë rekorde të Kosovës

Notarët Dren Ukimeraj dhe Fjorda Shabani kanë thyer dy rekorde të Kosovës në kampionatin evropian që po mbahet në Glasgow të Skocisë. Por notarët e Kosovës në Evropian përfunduan të fundit në disiplinat ku morën pjesë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ukimeraj në disiplinën 200 metra krol arriti ta thyejë rekordin e Kosovës, duke e përfunduar garën për dy minuta, tre sekonda e katër të qindtat, kurse Shabani 100 metra shpinë arriti t'i përfundojë për një minutë, pesë sekonda e 87 të qindtat.

Pjesëmarrës në këtë garë kanë qenë edhe Eda Zeqiri në 100 metra shpinë dhe Dion Kadriu në 200 metra krol. Zeqiri e përfundoi për një minutë, nëntë sekonda e 75 të qindtat, derisa Kadriu për dy minuta e pesë sekonda.

“Në plasmanin e përgjithshëm, Ukimeraj u rëndit i 61-ti, derisa Kadriu i 62-ti nga po aq pjesëmarrës, derisa Shabani ishte e 45-ta dhe Zeqiri e 47-ta nga po aq pjesëmarrëse. Urojmë sportistët për rekordet e arritura. Urojmë paraqitje edhe më të mira në ditët në vazhdim të këtij kampionati”, thuhet në njoftimin e Federatës së Notit të Kosovës (FNK).