Për notarët e Kosovës ka përfunduar Kampionati Evropian që po mbahet në Romë të Italisë. Kosovën në Evropian e kanë përfaqësuar Martin Muja dhe Hana Beiqi.
Kalimi i fazës kualifikuese vazhdon të mbetet shumë i largët për notarët kosovarë, por Federata e Notit e Kosovës e ka vlerësuar Evropianin shumë të suksesshëm. Janë thyer disa rekorde të Kosovës gjatë kësaj gare, shkruan FNK-ja.
“Notarët tanë përfunduan garat në Kampionatin Evropian me një performancë shumë të mirë të notarit Martin Muja, i cili në 100 metra shpinë thyen rekordin e Kosovës me kohën 1.00.90 minuta. Martini pati paraqitje shumë të mirë edhe në disiplinën 50 metra krol, me kohë 25:14 sekonda, që është koha e tij më e mirë personale”, ka njoftuar FNK-ja të martën. “Hana dhe Martini garat e Kampionatit Evropian i përfunduan me tri rekorde të Kosovës. Hana Beiqi në 50 metra delfin dhe Martin Muja në 50 metra shpinë dhe 100 metra shpinë”, thuhet tutje në njoftim.
Në 100 metra shpinë, Muja u rendit i 41-ti në kualifikime. Prapa i la dy notarë të Shqipërisë. Ndërkohë në 50 metra krol, po të martën, Muja po ashtu la prapa vetëm dy garues të Shqipërisë. Ishte i 72-i. Të hënën garën e fundit të saj e kishte notarja e re, Hana Beiqi. U rendit e 38-ta, duke lënë prapa garuesen e Malit të Zi, Jovana Kuljaca, në 50 metra krol. Muja një rekord të Kosovës e kishte vendosur të dielën.
Në 50 metra shpinë kishte arritur kohë prej 28:15 sekonda. Ishte i renditur i 44-ti, ndërsa prapa kishte lënë një notar të Maltës dhe dy të Shqipërisë. Më 12 gusht, Muja kishte garuar në 100 metra krol dhe mbeti i fundit (77). Ndërkohë Beiqi kishte garuar në 50 metra delfin dhe vendosi rekord të Kosovës me kohë prej 29.72 sekonda. Koha rekorde për shtetin, i mjaftoi për vendin e parafundit në Evropian. Prapa e la një garuese nga Ishujt Faroe. Në ditën e parë të Evropianit, më 11 gusht, Hana Beiqi kishte garuar në 100 metra stil të lirë. Kishte mbetur e fundit (36) me kohë prej 1:03.06 minuta. Hana Beiqi është garuesja më e re në Evropian. Ajo i mbush 14 vjet më 28 shtator. Evropiani është për seniorë.
“Jam shumë e lumtur që jam këtu në Romë. Kjo garë është shumë e rëndësishme, në një pishinë të mrekullueshme. Të garoj me më të mirat në Evropë, që po ashtu janë kampione botërorë, është përvojë e jashtëzakonshme”, ka thënë Hana Beiqi në një intervistë për sajtin zyrtar të Evropianit.