Sport

Nora Gjakova, shpresa e madhe e Evropës për titull të botës në kategorinë deri 57 kg

Si në asnjë kategori tjetër, në kategorinë deri 57 kilogramë dominojnë aktualisht xhudistet që nuk janë nga Evropa. E para në ranglistën botërore është braziliania Rafaela Silva. Pas saj janë xhudistet e Kanadasë, Christa Deguchi e Jessica Klimkait. Më pas në ranglistën e kategorisë deri 57 kg është japonezja Haruka Funakubo. E pesta është Mimi Huh e Koresë së Jugut.

Të gjitha këto marrin pjesë në Kampionatin Botëror të xhudos që prej 7 deri më 13 maj mbahet në Doha të Katarit.

Në mesin e pesë bartëseve të para nuk është Nora Gjakova, xhudistja kosovare. Për shkak të mungesës së gjatë nga garat si pasojë e një lëndimi të krahut, Nora ka rënë në vendin e tetë në ranglistën botërore dhe është bartësja e tetë në Botëror. Para saj janë Timna Nelson Levy e Izraelit në pozitën e gjashtë dhe Eteri Liparteliani e Gjeorgjisë në pozitën e shtatë të bartëseve.

Por Nora e ka suksesin që e ëndërrojnë të gjitha bartëset e po ashtu të gjitha xhudistet. Ajo është kampione olimpike në fuqi në kategorinë deri 57 kilogramë. Medalje të artë olimpike, nga “Rio 2016”, ka vetëm edhe Rafaela Silva.

Pavarësisht pozitës në ranglistë, fakti se është kampione në fuqi olimpike e bënë Norën pretendente për medalje, përkatësisht për titull të botës. Pas operimit të krahut dhe fazës së gjatë rikuperuese, Nora është në kërkim të formës optimale.

Dhe për Botërorin në Doha është shpresë e madhe e Evropës për sukses. Në kategoritë tjerë xhudistet nga Evropa janë prej bartëseve kryesore. Jo edhe në kategorinë deri 57 kg, sipas ranglistës.

“Nora Gjakova nuk ka gjetur ende formën më të mirë këtë vit. Por ka treguar shenja të formës që ia siguroi medaljen e artë olimpike në Tokio. A do të rizbulojë ajo rrugët drejt fitoreve në Doha? A do ta udhëheqë kosovarja betejën ndaj treshes kryesuese dhe ta fitojë titullin e parë të botës?”, ka shkruar sajti zyrtar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.

IJF-ja ka vlerësuar favorite kryesore Silvan, që është kampione në fuqi. Brazilianja kishte fituar titull të botës edhe në vitin 2013. Dy kanadezet po ashtu vlerësohen me gjasa të mëdha për sukses në Botëor.

Nora Gjakova më 24 mars fitoi medaljen e argjendtë në Grand Slamin në Tbilisi të Gjeorgjisë. Kështu dha shenja se po kthehet në nivelin superior. 30-vjeçarja ka medalje të bronztë botërore në vitin 2021. Titulli i botës dhe shtonte shkëlqim në koleksionin unik të Norës. Dhe do t’i sjellë Evropës suksesin në kategorinë që aktualisht po dominohet nga kontinentet e tjera.

Pos Norës në Botëror garojnë edhe Distria Krasniqi, Erza Muminoviq, Flaka Loxha, Laura Fazliu, Loriana Kuka e Akil Gjakova. Në kategorinë deri 57 kg paraqitet edhe Flaka Loxha.