Sport

Pas përplasjes së frikshme, hendbollistja e Kosovës po e merr veten dhe pritet të jetë gati për mars

Prishtinë, 2 shkurt – Pasi e pasoj topin, Njoma Zogaj, u nis në drejtim të qendrës së fushës. Po priste që topi t’i kthehej sërish, ndërsa papritmas nga prapa i erdhi nja bashkëlojtare, që po ashtu po synonte ta pranonte topin. Ndodhi një përplasje e frikshme mes dy hendbollisteve, ndërsa Njoma mbeti e shtrirë në fushën e lojës. Përplasja me bashkëlojtaren ishte shumë e rëndë, skena ishte e frikshme, por për fat pa pasoja serioze për hendbollisten e re të Kosovës.

Kjo kishte ndodhur më 9 dhjetor të vitit të kaluar në ndeshjen e Aalborgut ndaj Bjerringbros, në kuadër të kategorisë së dytë daneze. Njomës iu sugjerua nga mjeku që të pushojë për një kohë për shkak të tronditjes së pësuar. Ajo po pushon ende dhe nuk e di saktësisht se kur do të kthehet në ndeshje. Por shpreson që të jetë e gatshme për takimet që përfaqësuesja e Kosovës në hendboll i luan muajin tjetër, në kuadër të kualifikimeve për Botëror.

“Pas një situate fatkeqe në ndeshjen ndaj Bjerringbros, Njoma dhe Ossi u ndeshën kokë më kokë. Njoma ka pësuar një lëndim, ndërsa shpresojmë që ajo të kthehet shpejtë në skuadrën tonë”, kishte njoftuar klubi danez më 10 dhjetor.

Prej atëherë Aalborgu ka luajtur edhe shtatë ndeshje, pa Njomën në skuadër. Ajo shquhet për angazhimin në mbrojtje dhe vlerësohet se i ka munguar skuadrës, që nga vendi i parë ka rënë në vend të dytë.

“Ndonëse përplasja ishte shumë e rrezikshme, nuk kam pësuar ndonjë lëndim serioz. Kam pasur vetëm tronditje. Megjithatë ende nuk jam në gjendjen më të mirë. Nuk kam luajtur më që nga ajo ngjarje. Herë po ndihem mirë e herë jo. Por gjendja po përmirësohet gradualisht. Kam nisur me ngasje të biçikletës nga pak. Skuadra i ka humbur disa ndeshje me rezultat të thellë dhe tani ka nisur sërish me fitore. Është vlerësuar se i kam munguar skuadrës”, ka thënë Njoma Zogaj për KOHËN, të martën.

“Me stërvitje nuk kam filluar ende, por shpresoj se do të kthehem së shpejti. Po ashtu, shpresoj se do të jem në gjendje që të luaj për Kosovën në ndeshjet e marsit. Unë në fakt po punoj shumë që të jem e gatshme dhe shpresoj se do të jem gati deri në grumbullimin me Kosovën. Unë nga përplasja nuk kam pësuar ndonjë lëndim, pos tronditje. Mjekët më kanë thënë të pushoj dhe nuk më kanë saktësuar se kur mund të kthehem”, ka shtuar Zogaj.

Qendra 21-vjeçare po e luan edicionin e parë te të rriturat. Në maj të vitit të kaluar kishte nënshkruar kontratën e parë me Aalborgun. Njoma katër vjet më parë ishte shprehur e gatshme të luajë me Kosovën. Por telashet me lëndime e shtynë debutimin e saj. Në vitin 2018 i ishte nënshtruar dy operimeve. Nga hendbolli kishte munguar për një vit e gjysmë.

Në Federatën e Hendbollit të Kosovës presin që Njoma Zogaj të japë kontribut të madh në përfaqësuese. Sipas FHK-së, kompletimi i dokumentacionit që Njoma Zogaj të fitojë të drejtën të luajë për Kosovën, është në fazën finale. FHK-ja po pret që të lëshohet shtetësia për hendbollisten cilësore.

Kosova më 19 mars takohet me Austrinë, ndërsa më 20 mars me Italinë, në kuadër të grupit të katërt të fazës së parë kualifikuese për Botërorin 2021. Kosova synon fitore ndaj Italisë për të zënë vendin e dytë dhe për t’u kualifikuar tutje.

Pos Njomës pritet të debutojë edhe portierja Kristina Ukaj si dhe ndonjë lojtare tjetër. Në pritje për të fituar të drejtën e paraqitjes me Kosovën është Mirjeta Bytyqi, që luan në elitën e Sllovenisë.

Image