Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

“Njerëzit e respektojnë Messin më shumë se presidentin”

Emiliano Martinez ka thënë se Lionel Messi mund të rikthehet në Kupën e Botës 2026, ndërsa ka shtuar se kapiteni i Argjentinës është në gjendje të luajë deri në moshën 50-vjeçare.

Messi do ta luajë të dielën finalen ndaj Francës në Botëror, dhe mund të jetë paraqitja e tij e fundit.

Ai ka realizuar pesë gola dhe tri asistime deri tani, ndërsa e ka marrë epitetin e lojtarit më të mirë në ndeshje katër herë.

Në Botërorin e ardhshëm që do të organizohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2026, Messi do të jetë 39-vjeçar.

“Mendoj se ai mund të luajë deri në moshën 50-vjeçare. Ai duket në formë të përkryer. I bën gjërat të duken lehtë, që është gjëja më e vështirë për t’u bërë. Për Argjentinën ai është hero. Njerëzit e respektojnë Messin më shumë se Presidentin e shtetit. Njerëzit do të qëndronin në shtëpi 24 orë nëse Messi e ka një kërkesë të tillë. Ai është numër një, punon shumë dhe është frymëzues për të gjithë”, është shprehur portieri i Argjentinës, Martinez.