Lëndimi i dytë i rëndë brenda tre vjetëve e detyroi kapitenen e Skenderajt dhe njërën ndër volejbollistet më të mira në Kosovë, që t’i japë fund karrierës. Shera Behrami të dielën mbrëma e lëndoi meniskun e gjurit të majtë, në ndeshjen derbi të Superligës në volejboll kundër Dritës. Ajo u lëndua pasi fitoi pikë për ekipin e Skenderajt në setin e parë. Ishte pika e tetë që doli të jetë fatale për Behramin, e cila e lëshoi fushën me dhimbje.
Të njëjtin lëndim, Shera Behrami e kishte pësuar edhe në qershor të vitit 2018, por në gjurin e djathtë. Edhe atë lëndim Shera e kishte pësuar në ndeshje ndaj kundërshtarit të njëjtë, Dritës, dhe pikërisht në pikën tetë të setit të parë. Skenderaj e humbi ndeshjen e së dielës me rezultatin 3:1 në sete, ndërsa të hënën njoftoi për tërheqjen e Behramit nga loja aktive.
Vet Shera ka thënë se nuk e ka paramenduar mbylljen e karrierës në këtë mënyrë. Ajo kishte punuar shumë që të rikthehej nga lëndimi i parë.
“Në vitin 2018 e lëndova gjurin e djathtë, ndërsa tani të majtin. Dy lëndimet që i kam marrë në dy gjunjët kanë ndodhur ndaj Dritës dhe atë në setin e parë te pika e tetë”, tha Behrami e dëshpëruar. “Tani jam e detyruar të mos kthehem më si lojtare aktive për shkak të lëndimit të dytë që e mora dhe brenda pak ditëve më duhet t’i nënshtrohem operacionit. Nuk kam dashur në këtë formë ta mbyll karrierën aktive, por nganjëherë në sport ndodhin gjëra të paparashikuara”.
Behrami insiston se edicionin e kaluar dhe këtë edicion ishte në formë të shkëlqyer. Kishte ndjenjën se do ta udhëhiqte ekipin drejt titullit të kampionit. Kishte planifikuar të tërhiqej si kampione e vërtetë. Shera Behrami ka mbi një dekadë që është prej volejbollisteve kryesore në vend.
“Fati nuk ishte me mua këtë herë. Isha në formë të shkëlqyer. Synimet i kishim të mëdha, pasi ekipi ka krijuar stabilitet dhe të gjithë ishim të bindur se do ta fitonim titullin në fund të sezonit. Unë e kam pasur në mendje tërheqjen nga loja aktive, por doja ta bëja në fund të sezonit me titullin e kampionit. Pra, ideja ishte të tërhiqesha me trofe”, shprehet Behrami, e cila prej vitit 2002 ka qenë kapitene e skuadrës së Skenderajt. “Shpresoj që ekipi ta fitojë për mua këtë trofe edhe pse të gjitha vajzat u demoralizuan pas lëndimit që e pësova. Megjithatë, unë do t’i përkrah ato deri në fund të sezonit dhe do t’i motivojë që të arrijnë synimin që e kishim në fillim”.
Behrami fillimisht është e fokusuar ta kryejë operimin me sukses dhe pastaj të kthehet si trajnere. Prej vitit 2018 kur e pësoi lëndimin e parë, ka qenë trajnere e ekipit U18 të Skenderajt.
“Ka disa vite që jam trajnere e ekipit U18 te Skenderaj dhe do ta vazhdojë këtë rrugë pas tërheqjes sime të detyruar nga loja aktive. Shpresoj që sukseset që i kisha si lojtare, t’i përjetoj edhe si trajnere”, u shpreh Behrami. Ajo ka qenë edhe kapitene e Kosovës.