Chievo Verona dhe Udinese ishin ndër ekipet e para që treguan se sa larg mund të shkojë një klub provincial në Serie A, duke u mbështetur në skautimin e zgjuar, një sistem të fortë të të rinjve dhe lëvizje inteligjente të transferimit. Skuadra e Atalantas këtë e kaloi në një nivel tjetër, duke arritur në çerekfinale të Ligës së Kampionëve këtë vit.
Tani Sassuolo po formohet si surpriza e radhës në kampionatin italian. Pa humbje në shtatë xhirot e këtij edicioni në Serie A, Sassuolo zë pozitën e dytë në tabelë me 15 pikë të mbledhura, dy më pak se Milani që është lider. Ndërsa sa u përket golave të shënuar ndan vendin e parë me skuadrën e Atalantas, që gjithashtu ka 18 gola në kampionat.
“A doni të dini të vërtetën? Sassuolo është ende në 60 për qind të kapacitetit që ka dhe këtë e them me bindjen më të madhe”, insiston trajneri Roberto De Zerbi.
Pasi fitoi 2:0 si mysafir i Napolit këtë muaj dhe atë pa tre lojtarët kryesorë të sulmit - Domenico Berardi, Francesco Caputo e Filip Gjuriçiq – trajneri De Zerbi ka arsye të mburret. Shikuar prapa, rritja e Sassuolos kishte nisur edicionin e shkuar, kur dy herë barazoi me Juventusin 2:2 në Torino dhe 3:3 në shtëpi. Me këto dy barazime, Sassuolo u bë ekipi i vetëm që Juventusi nuk arriti ta mposhtë përgjatë rrugëtimit drejt titullit të nëntë rresht në Serie A.
Financuar nga familja Squinzi, e cila kontrollon kompaninë e materialeve të ndërtimit “Mapei”, skuadra e Sassuolos është e mbushur me lojtarë të rinj të talentuar dhe e ka lider 26-vjeçarin Berardi. Kontrata e tij dikur ishte në bashkëpronësi me Juventusin përpara se Sassuolo ta blinte përfundimisht. Berardi ka shënuar gati 100 gola me fanellën e Sassuolos, rrugëtim të cilin e nisi në edicionin 2012/13 kur ekipi garonte në Serie B. I etiketuar për vite si një nga lojtarët e rinj më premtues të Italisë, Berardi tani gjithashtu është shndërruar në të rëndësishëm edhe për Përfaqësuesen e Italisë, ku në dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve realizoi po aq gola.
Edhe
Atalanta e Sassuolo frymëzuan transformimin e Italisë
Për shumicën e njohësve të futbollit të Italisë, pyetja më e madhe në lidhje me Berardin është se për çfarë arsyeje ai nuk luan në një klub më të madh.
“Ne jemi mësuar me një botë ku të gjithë lojtarët duan të rriten për një nivel, të tërheqin më shumë vëmendje dhe të fitojnë më shumë para. Për Berardin nuk vlejnë këto rregulla, sepse ai është i lumtur te Sassuolo dhe për këtë arsye po qëndron”, shtoi trajneri De Zerbi. “Ai e ka kuptuar se forca e tij vjen nga rrethi që e ka në ekip dhe për këtë arsye asnjëherë nuk ka kërkuar largimin”.
Berardi nuk ishte lojtari i vetëm i Sassuolos që shkëlqeu në skenën ndërkombëtare gjatë javës së fundit.
Mesfushori Manuel Locatelli, dikur një adoleshent i çmuar te Milani, asistoi në dy gola në fitoren 2:0 në udhëtim kundër Bosnjë- Hercegovinës të mërkurën mbrëma.
Me ekipin U21 të Italisë, Gianluca Scamacca, i cili është i huazuar te Genoa, shënoi tre gola në dy ndeshje. Giacomo Raspadori shënoi dy herë në fitoren 4:1 ndaj Suedisë.
“Locatelli është mesfushori më i mirë italian”, insistoi De Zerbi. “Dhe nëse Raspadori vazhdon kështu, ai do të bëhet qendërsulmuesi i ekipit A të Italisë, pa pikë dyshimi”.
Edhe
Sassuolo, ekipi argëtues që mund ta kalojë vikendin në krye të Serie A
Pastaj është Jeremie Boga, mesfushori që u transferua nga Chelsea, dhe të cilin De Zerbi e vendos të dytin pas Lionel Messit për sa i përket driblimit të mbrojtësve. Gjithashtu De Zerbi çmon edhe mesfushorin ofensiv Maxime Lopez, që vulosi fitoren ndaj Napolit me golin e shënuar në kohën shtesë.
“Lojtarët tanë janë zgjedhur një nga një. Askush nuk është këtu rastësisht”, zbuloi De Zerbi.
Futbollistët i përshtaten shumë mirë vizionit të lojës sulmuese që De Zerbi e aplikon, dhe që ka ngjashmëri me atë të trajnerëve të mëdhenj, si Marcelo Bielsa e Pep Guardiola.
De Zerbi kaloi një javë duke studiuar Bielsan nga afër në Francë kur argjentinasi ishte trajner te Lille në vitin 2017 dhe thotë se 80 për qind të seancave stërvitore ia kushton sulmit. De Zerbin, gjithashtu, kjo lojë e tërheq edhe nga karriera e tij kur ishte futbollist, që në fakt kurrë nuk arriti lartësinë që ai imagjinonte si një mesfushor sulmues në sistemin e të rinjve të Milanit.
“Unë me të vërtetë bëj çdo përpjekje për të promovuar karakteristikat e lojtarëve të mi”, tha De Zerbi.
Me seli në një qytet me vetëm 40 mijë banorë, Sassuolo luan ndeshjet në shtëpi në afërsi të Reggio Emilias në stadiumin “Mapei” – një nga bazat e pakta në pronësi të klubeve në Itali. Ish-drejtuesi i Sassuolos, Giorgio Squinzi, i cili vdiq vitin e kaluar, kishte largpamësi për të blerë stadiumin në ankand për 3.75 milionë euro në vitin 2013 për të përkuar me promovimin e parë të ekipit në Serie A. Suksesin më të madh, Sassuolo e arriti në edicionin 2015/16, kur përfundoi në pozitën e gjashtë në kampionat, duke siguruar një vend në Ligën e Evropës.
Edhe
Atalanta “shpëton” krenarinë italiane
Tani, në një sezon në të cilin skuadrat pretendente për titull, Juventusi, Interi e Atalanta, po luajnë ndeshje evropiane pothuajse çdo javë dhe kanë një orar të ngjeshur, te Sassuolo shohin një mundësi për të bërë diçka më shumë.
“Është një sezon unik. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë”, shtoi De Zerbi, duke aluduar për një vend që dërgon sezonin tjetër në Champions.