Euro 2020

Atalanta e Sassuolo frymëzuan transformimin e Italisë

Kanë kaluar pesë vjet prej pjesëmarrjes së fundit të Italisë në ngjarje të madhe futbolli. Për këtë arsye për shumë njerëz ishte befasi të shohin azurët të transformuar plotësisht, duke luajtur futboll ofensiv dhe në frymën më moderne të lojës.

Ku mbeti sistemi “katenaço”, me mbrojtje të hekurt dhe kundërsulme të herëpashershme?

Gjeneza e skuadrës italiane me pamje të re, që po paraqitet në Kampionat Evropian, është pikërisht në Itali.

Ekipet si Atalanata, Sassuolo dhe Napoli kanë pranuar një stil më ofensiv të lojës në edicionet e fundit.

Atalanta dhe Sassuolo po ashtu janë shquar në promovimin e lojtarëve të rinj, në një ligë ku tradicionalisht për dekada të tëra lojtarët e talentuar kanë mbetur nën hije të lojtarëve me përvojë. Ndërkohë talenteve nga Amerika e Jugut u jepej menjëherë mundësia për të shkëlqyer.

Pra nuk është befasi që dyshja e Sassuolos, Manuel Locatelli e Domenico Berardi, si dhe mesfushori i Atalantas, Matteo Pessina, janë lojtarët që kanë shpërthyer tek Italia në serinë impresive në fazën grupore të “Euro 2020”.

Dikur një klub që vazhdimisht lëvizte në dy kategoritë e para të futbollit italian, Atalanta së shpejti do të luajë për herë të tretë rresht në Ligën e Kampionëve. Makina shënuese e krijuar nga trajneri Gian Piero Gasperini ka arritur në çerekfinale të Championsit vitin e kaluar dhe ka udhëhequr në Serie A me efikasitet në dy edicionet e kaluara, me 98, përkatësisht 90 gola.

Po ashtu edhe trajneri i Sassuolos, i larguar së fundi, Roberto de Zerbi, është lavdëruar për qasjen sulmuese të skuadrës së tij. Ai ua dha rastin lojtarëve lokalë, Berardi e Giacomo Raspadori, që është ftuar tek Italia për “Euro 2020”, ndonëse asnjëherë nuk ka qenë me përfaqësuese në të kaluarën.

“Lojtarët tanë janë të mësuar të luajnë kështu, pasi ne jemi munduar të shtyjmë para këtë mënyrë të lojës që nga dita e parë. Dhe pak nga pak kemi arritur këtu”, ka thënë seleksionuesi Roberto Mancini. “Po ashtu ka skuadra të tjera që e bëjnë këtë, kështu që lojtarët nuk kanë probleme kur vijnë këtu”.

Pessina është shtuar në skuadër në momentin e fundit, pas lëndimit të Stefano Sensiit, një tjetër lojtari të ngritur te Sassuolo.

“Ka shumë ndikim të Gasperinit këtu”, ka thënë Pessina pasi shënoi për fitoren 1:0 të Italisë ndaj Uellsit, të dielën.

“Mund të shoh ngjashmëri të mënyrës se si luan Atalanta dhe si po luan Italia tani. Presion i lartë dhe vrapime nga mesfusha, kështu që unë jam përfshirë menjëherë”.

23-vjeçari Locatelli, që ka shënuar dy herë në fitoren 3:0 ndaj Zvicrës, në ndeshjen e tij të dytë, dhe 24-vjeçari Pessina, kanë karakteristika të ngjashme. Ata duan ta përfshijnë veten në sulm dhe të dy janë lavdëruar që kanë shënuar gola pas përfshirjes nga vija e dytë.

“Përfundimisht është qasje ndryshe”, ka thënë Pessina. “Ne jemi agresivë, ne duam ta mbajmë topin, duam të luajmë në sulm gjatë gjithë kohës edhe nëse kjo do të thotë se rrezikojmë ta humbim topin në metrat e fundit. Sa herë që e kemi topin në 30 metrat e fundit në fushën e kundërshtarit, duhet të provojmë që të sulmojmë portën”.

Mënyra e lojës së Atalantas ishte evidente edhe në përfaqësuese të tjera në “Euro 2020”. Mbrojtësi i krahut i Gjermanisë, Robin Gosens, po ashtu luan në skuadrën nga Bergamo.

“Ky është futbolli evropian tani dhe mënyra se si klubet e mëdha luajnë. Dhe është kjo që Mancini po mundohet ta sjellë këtu. Rezultatet janë evidente deri më tani”, ka thënë Pessina.

Për një ekip që dështoi të kualifikohej në Botërorin 2018, rezultatet e deritashme të Italisë janë të jashtëzakonshme.

Azurët janë të pamposhtur në 30 ndeshjet e fundit dhe kanë barazuar një rekord të vjetër gati një shekull. Po ashtu italianët kanë fituar 11 ndeshjet e fundit dhe nuk kanë pranuar gol.

Më shumë se 1000 minuta lojë janë luajtur prejse Italia e ka pranuar golin e fundit. Holandezi Donny van de Beek kishte shënuar për 1:1 në barazimin në Ligën e Kombeve, në tetor të vitit të kaluar.

Mancini ka bërë tetë ndryshime në ekip për ndeshjen me Uellsin. Mosha mesatare e ekipit që luajti ndaj Uellsit ishte 27 vjet. Ishte skuadra më e re e Italisë në një turne të madh qëkur ekipi i drejtuar nga Roberto Baggio e mposhti Bullgarinë në Botërorin 1994.

Tani Italinë e pret ndeshja e një të tetës së finales në “Wembley” të Londrës, të shtunën.

“Mancini asnjëherë nuk na shtyn shumë. Ai vetëm na thotë të shijojmë futbollin tonë dhe të vazhdojmë të bëjmë atë që po e bëjmë”, ka thënë Alessandro Bastoni. Qendërmbrojtësi 22-vjeçar është një tjetër produkt i Atalantas.