Sport

Një “super edicion” me rekord shikuesish, por edhe me telashe të shumta

“Super edicion” e ka vlerësuar Federata e Basketbollit e Kosovës edicionin 2022/2023 të Superligës së Kosovës në basketboll. FBK-ja të dielën ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit e një “edicioni fantastik dhe të jashtëzakonshëm”.

Edicioni garues 2022/2023 i basketbollit kosovar, pra jo vetëm në Superligë, megjithatë është përcjellë edhe me telashe të shumta. Federata e Basketbollit e Kosovës dhe komisionet e saj janë sfiduar jo rrallë.

Në të vërtetë, gara ishte shumë dramatike dhe interesimi i shikuesve në nivelin shumë të lartë. Interesimi i shikuesve, sidomos për serinë finale të plejofit, ka lënë disi në harresë të gjitha telashet që përcollën garën për më të mirin në basketboll.

“Interesimi ishte i jashtëzakonshëm në këtë edicion, nga java e parë e deri në fund, ku u përmbyll me finalen e pestë mes Trepçës dhe Pejës. Kjo ndeshje u vendos në vazhdime, duke dëshmuar për super kampionatin që kemi pasur. Numrin e madh të shikuesve e kanë lakmi edhe shumë shtete të tjera dhe shpresojmë që do të vazhdojmë furishëm e me suksese në edicionin e ri”, shkruan në postimin e FBK-së të bërë të dielën, tri ditë pas përfundimit të edicionit.

Peja ka fituar titullin e kampionit të Kosovës në basketboll. Fitoren në ndeshjen vendimtare në “Minatori” e siguroi me pikë të shënuara 1.2 sekonda para fundit të vazhdimisht prej pesë minutave. Festa e pejanëve ishte pasiononte, por u zhvillua në palestër të zbrazët. Me të përfunduar ndeshja, tifozët kanë nisur me hedhje të gjësendeve të forta në parket. Hedhjet ishin të shumta, ndërsa lojtarët vrapuan për në zhveshtore. Janë hedhur në parket edhe dhjetëra mjete shpërthyese dhe fishekzjarrë. Ndërkohë policia ka intervenuar për të larguar tifozët nga palestra dhe vetëm më pas ka nisur ceremonia e ndarjes së medaljeve dhe Kupës për skuadrën e Pejës. Ka pasur fishekzjarrë festivë, por jo edhe shikues. Në vend të tyre kishte shumë policë.

“Rivaliteti dhe sfidat interesante na kanë përcjellë gjatë gjithë kampionatit, që është vlerësuar si ndër më interesantët pas luftës në basketbollin kosovar”, ka shkruar FBK-ja.

Që në nismë të edicionit u mbajt Superkupa Mbarëkombëtare. Por jo sipas planifikimit. Teuta e Durrësit hoqi dorë nga ky aktivitet dhe mbetën vetëm tri skuadra. Atmosfera në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, megjithatë, ishte e zjarrtë dhe Trepça festoi në fund.

Tërheqja e Teutës ishte shenjë për atë që do të pasonte, shuarjen e Ligës Unike në basketboll. Projekti i Ligës Unike, kampionatit të përbashkët të Kosovës e Shqipërisë, ishte prezantuar me shumë bujë. Por edicioni aktual u ndërpre pak pas fillimisht, për shkak të mungesës së gatishmërisë së klubeve nga Shqipëria për të marrë pjesë në këtë kampionat.

Më 18 nëntor ishte marrë vendimi për pezullimin e edicionit 2022/2023 të Ligës Unike në basketboll. Vendim tjetër nuk kishte prej atëherë dhe Liga Unike doli të jetë projekt i dështuar, jo me fajin e FBK-së dhe klubeve kosovare të basketbollistëve.

“Për shkak të tërheqjes së dy ekipeve nga Shqipëria, Tiranës dhe Teutës, është i pamundur vazhdimi i garës në formatin e paraparë. Prandaj Bordi Drejtues i Ligës Unike ka marrë vendim për pezullimin e garës dhe do të vlerësojë opsionet e ristrukturimit të saj”, shkruan në njoftimin e 18 nëntorit. Nuk kishte ristrukturim e as vazhdim.

Edhe Liga Ballkanike, ku garuan Peja e Bashkimi, nuk ishte shumë më mirë. Në fund në këtë garë rajonale mbetën vetëm katër skuadra, duke përfshirë Pejën. Dhe të gjitha shkuan në turneun final. Peja u mposht në finale. Ndërkohë Bashkimi ishte tërhequr gjatë kampionatit.

Dukshëm më interesante ishin garat në nivel të vendit. Për shembull, Superkupa e Kosovës. Turneu i Superkupës ishte mbajtur në Prishtinë, ndërsa ishin lejuar tifozët e të gjitha skuadrave. Në finalen mes Prishtinës dhe Trepçës situata me tifozët doli jashtë kontrollit. U hodhën shumë karrige e mjete plasëse në parket. Ndeshja vazhdoi vetëm pasi tifozët u larguan nga palestra.

Pas këtij incidenti të rëndë, FBK-ja vendosi ta luftojë dhunën duke mos i lejuar grupet e organizuara të tifozëve të paraqiten në palestra. Nuk lejoi asnjë shenjë të tifo-grupeve në tribuna, ndërsa për sharjet në kor u vendos të zbrazen palestrat. Kjo ndodhi shumë herë. Ndeshjet zgjatnin më shumë se zakonisht dhe përfundonin shpesh në palestra të zbrazëta. FBK-ja nisi të kritikohej për ato vendime, që u anuluan ndërkohë.

Telashet me tifozë, megjithatë, nuk u zgjidhën. Ato kanë vazhduar edhe gjatë plejofit. Kishte shumë fyerje ndaj ekipeve kundërshtare. Madje lojtarët u shanë e u fyen edhe në emra të nënave dhe të grave të tyre.

Telashet ishin edhe të natyrave të tjera. Kishte përplasje mes komisioneve të FBK-së lidhur me natyralizimin e lojtarëve nga Sigal Prishtina. Prishtina në përbërje kishte shumë lojtarë vendorë, shumica prej tyre të natyralizuar. Për njërin veçanërisht kishte shumë bujë e përplasje.

Për gjysmëfinale dhe finale të plejofit u vendos që gjyqtarët të jenë të huaj, përkatësisht dy të huaj e një i vendit. Por kjo solli telashe të tjera. Prishtina akuzoi se dy gjyqtarë grekë ishte tentuar të korruptoheshin për të kurdisur një ndeshje në të mirë të Trepçës. Trepça mohoi akuzat dhe kërkoi hetime. Në një luftë komunikatash u përfshinë edhe Peja e Golden Eagle Ylli. Gjyqtarët grekë nuk erdhën më, por kishte gjyqtarë nga shtete të tjera. Jo edhe akuza të tjera për kurdisje.

Ndërkohë përplasje kishte edhe për skuadrën që do të duhej të ishte nikoqire në ndeshjen e pestë të plejofit. Fillimisht një organ i FBK-së vendosi që Peja do ta kishte përparësinë e terrenit vendës në ndeshjen e pestë. Më pas ai vendim u anulua dhe përparësia e terrenit vendës iu dha Trepçës. Sikur dy vjet më parë, u vendos që Trepça e kishte përparësinë pasi kishte mposhtur në gjysmëfinale Prishtinën, që në edicionin e rregullt ishte e para. Peja ishte e dyta e Trepça e katërta. U vendos, bazuar në një praktikë të mëhershme, se Trepça me eliminimin e Prishtinës ka marrë pozitën e saj sa i takon përparësisë së terrenit.

Peja u ankua, por edhe ajo ankesë mbeti disi në heshtje. Pasi pejanët e fituan titullin, nuk pritet të ketë zhvillime të tjera.

Për të gjitha këto zhvillime do të flitet më pak në javët e muajt e ardhshëm. Më shumë do të diskutohet për garën e fortë dhe shumë interesante për gjithë trofetë e basketbollit kosovar. Për ndeshjet interesante e dramatike, si dhe për palestrat e stërmbushura, sidomos në Mitrovicë e Pejë. Dhe një pjesë e madhe e telasheve, me shumë mundësi, do të përsëriten edhe edicionin e ardhshëm. Shpresohet që ato të jenë sa më të vogla.

Interesimi për basketbollin tashmë është në kulm. Dhe natyrisht edhe telashet diskutohen dhe paraqiten më shumë se ato të sporteve të tjera, që natyrisht nuk mungojnë.