Sport

Një rojë sigurimi vdiq në stadiumin “Lusail” në rrethana të panjohura, familja hedh dyshime

Një rojë sigurie në stadiumin “Lusail” të Kupës së Botës në Katar vdiq të martën pasi u rrëzua gjatë detyrës në ndeshjen Argjentina - Holandë, thanë të mërkurën organizatorët e turneut, Komiteti Suprem për Dorëzimin dhe Trashëgiminë. Familja ka hedhur dyshime mbi vdekjen e tij.

Sipas deklaratës, John Njau Kibue u rrëzua më 10 dhjetor. Shtoi se ekipet mjekësore dolën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ofruan trajtim urgjent përpara se ai të transferohej në njësinë e kujdesit intensiv të spitalit “Hamad Medical” me ambulancë, ku edhe vdiq.

Ai ishte 24-vjeçar dhe nga Kenia.

Motra e Kibues ka folur për CNN-in, duke akuzuar autoritetet e Katarit se nuk kanë dhënë shpjegime për vdekjen e tij.

“Duam drejtësi. Duam të dimë shkakun e vdekjes së tij. Ata kurrë nuk na dërguan një foto prej ku u rrëzua ai apo të na japin ndonjë informacion”, ka thënë Ann Wanjiru.

Organizatorët thanë se po hetojnë rrethanat që çuan në rrëzimin e tij “si një çështje urgjente” dhe do të japin informacione të mëtejshme në pritje të rezultatit të hetimit.

“Ne gjithashtu do të sigurojmë që familja e tij të marrë të gjitha detyrimet dhe paratë e papaguara”, shtohet në deklaratë.

Javën e kaluar, Katari nisi një hetim për sigurinë në punë për vdekjen e një filipinasi pas raportimeve se ai vdiq ndërsa punonte në një kantier stërvitor gjatë Kupës së Botës.

Gazetarët Khalid al-Misslam, Roger Pearce dhe Grant Wahl, gjithashtu kanë vdekur ndërsa mbulonin Kupën e Botës, e para që do të mbahet në Lindjen e Mesme. Finalja e Kupës së Botës do të zhvillohet në stadiumin Lusail të dielën.