Skuadra e Connah's Quay Nomads që do të takohet me Prishtinën në Ligën e Konferencës, ka njoftuar sot gjatë ditës se një lojtar ka rezultuar pozitiv me koronavirus.
Emri i futbollistit nuk është bërë i ditur, por është theksuar se edhe një lojtar është vet-izoluar pasi ka pasur kontakt me lojtarin e infektuar, pavarësisht se ai ka rezultuar negativ.
Sipas njoftimit të Connah’s, zhgënjimi është i madh te lojtarët. Ndërkohë, lajm pozitiv është se kapiteni George Horan dhe Tom Bibby kanë udhëtuar me skuadrën. Ndeshja e parë ndërmjet Prishtinës dhe Connah’s në kuadër të rrethit të dytë të Ligës së Konferencës do të luhet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Dueli nis në ora 18:00 dhe zhvillohet me praninë e një numri të caktuar të tifozëve. Sipas vendimit të fundit të Qeverisë, mund të shfrytëzohet vetëm 30 për qind e kapacitetit të stadiumit.