Sport

Një edicion në hije të përfaqësueses dhe i dominuar nga “autsajderi” suharekas

Përfaqësuesja e Kosovës e ka marrë bujën sa i takon futbollit dhe sportit në përgjithësi gjatë muajve të fundit. Në vjeshtë, Kosova ka luajtur ndeshje të mëdha me Anglinë, Çekinë e Malin e Zi, për të cilat është folur shumë dhe vazhdon të flitet.

Në hije të përfaqësueses dhe rrugëtimit të saj, është zhvilluar stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll. Stinorit vjeshtor, përkatësisht pjesës së parë të edicionit 2019\2020, i vjen fundi me ndeshjet e xhiros së 17-të, që luhen të dielën e të hënën, shkruan sot Koha Ditore. Gjasat janë të mëdha që kampion vjeshtor të shpallet një ekip që nuk është llogaritur fare pretendent në fillim të edicionit – Ballkani i Suharekës.

Një xhiro para fundit, Ballkani udhëheq në tabelë me 34 pikë. Ka tri pikë më shumë se përcjellësit e parë, Drita e Gjilani, e katër më shumë se Prishtina. Ballkanit i mjafton një pikë në xhiron e fundit për të siguruar “titullin” e kampionit vjeshtor. Të hënën nga ora 13:00, Ballkani luan në udhëtim me Vushtrrinë.

Ndonëse me dukshëm më pak bujë se përfaqësuesja dhe me një skuadër jopretendente në krye të tabelës, Superliga vlerësohet se në vjeshtë ka ofruar garë të fortë. Ashtu siç pritej, shumë skuadra janë të përfshira në garën për titull, me një shkëputje të theksuar të katërshes së parë. Më prapa kanë mbetur Feronikeli, Drenica e Llapi me nga 24 pikë dhe Trepça ’89 me 20 pikë.

Ndërkohë Flamurtari me 16 pikë, Ferizaj me 15, Vushtrria me 12 dhe Dukagjini me 8 pikë, janë në zonën që nuk ofron mbetje në elitë në edicionin e ardhshëm. Këto skuadra do ta kenë të vështirë të sigurojnë mbetjen në elitë, nëse ndërkohë nuk ka ndonjë ndryshim radikal te skuadrat. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)