Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Një ditë para “El Clasicos” Zidane rithekson s’do të bëjnë gardë të nderit

Real Madridi nuk do t’ia bëjë kampiones së La Ligës, Barcelonës, gardën e nderit, kur këto skuadra do të takohen në “El Clasico” të dielën, ka deklaruar Zinedine Zidane një ditë para ballafaqimit.

Barcelona e fitoi titullin e kampionit vikendin e kaluar dhe përballë do ta ketë kampionin në fuqi të Evropës, Real Madridin, transmeton KTV.

“Pas Kupës së Botës për Klube, ata nuk e bënë atë për ne. Ata mund të thonë se nuk kanë marrë pjesë në garë, por kjo nuk është e vërtetë. Duhet ta fitosh Ligën e Kampionëve dhe të luash në të, dhe që të dyja ekipet ishin pjesëmarrëse në “Champions”. Nuk më takon mua të vendos për gardën e nderit, por ata nuk e bënë për ne. Ne, me gjithë respektin, nuk do ta bëjmë atë”, deklaroi Zidane.

Francezi iu referua asaj që ndodhi para “El Clasicos” së 23 dhjetorit, kur madrilenët u kthyen nga Emiratet e Bashkuara Arabe si fitues të Kupës së Botës për Klube. Barcelona nuk e bëri tunelin, ashtu siç është traditë për t’i respektuar kundërshtarët në Spanjë.

Barça e fitoi atë takim me rezultat 3:0.