Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Nico Williams mbyll të gjitha rrjetet sociale pas fyerjeve

Sulmuesi i Spanjës, Nico Williams mbylli llogaritë e tij në rrjetet sociale pas një vale ofendimesh nga tifozët pas dështimeve të tij në eliminimin e Athletic Bilbaos në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit. Bilbao u eliminua nga Osasuna me rezultatin e përgjithshëm 2:1 barazimit 1-1 në vazhdime të martën mbrëma në stadiumin “San Mames” në Bilbao. Athletic Bilbao fitoi 1:0 në kohën e rregullt, por Williams humbi disa raste të shkëlqyera për të rritur epërsinë dhe ndoshta për të vulosur vendin e ekipit në finale. Sulmuesi 20-vjeçar ishte i pafat, sidomos në minutën e 70-të dhe 87-të.

Në rasin e parë, ai gjuajti mbi traversë nga afër dhe në të dytin dështoi sërish nga afërsia. Williams vendosi të çaktivizojë llogaritë e tij pas “goditjes së fortë të eliminimit nga Copa dhe presionit pasues nga disa përdorues në formën e ofendimeve dhe mungesës së respektit në mediat sociale”, tha stafi i lojtarit në një deklaratë të mërkurën. Williams falënderoi tifozët që e mbështetën pas ndeshjes dhe pas ofendimeve.

“Ne të gjithë duhet të punojmë së bashku për të zhdukur këtë lloj qëndrimi nga mediat sociale”, thuhet në deklaratë.

Turma në “San Mames” ishte kryesisht mbështetëse për Williamsin kur ai u zëvendësua në minutën e 99-të, por shumë prej tifozëve më vonë u shfaqën në mediat sociale për ta kritikuar atë për gabimet e tij. Disa mesazhe ishin fyese dhe nënçmuese. Athletic Bilbao po përpiqej të arrinte në finalen e Kupës për herë të tretë në katër sezone. Klubi i vendit bask është skuadra e dytë më e suksesshme në këtë garë me 23 trofe, por të fundit e ka fituar në vitin 1984.