Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ngritja e Fernandesit si profesionist tek ekipi i vogël italian

Foto: AP

Debutimi i mesfushorit, Bruno Fernandes, si profesionist konsiderohet si një lloj legjende te skuadra e vogël nga Italia, Novara. Pablo Gonzalez, aktualisht i kthyer për herën e tretë në radhët e ekipit nga Serie B, e kujton shumë mirë pasditen e nëntorit të vitit 2012 kur adoleshenti thatanik nga Portugalia u fut në lojë si zëvendësim i vonshëm, shkruan "The Sun".

“Sapo hyri në fushë, ai e mori topin dhe menjëherë gjuajti prej rreth 40 metrave duke e qëlluar traversën. Ne u çuditëm pak, sepse nuk e dinim se si ai mund të luante në një lojë kaq të rëndësishme për ne derisa po kishim vështirësi. Por, ai me këtë tregoi personalitetin e tij”, thotë Gonzalez.

Në fakt, personaliteti dhe talenti i Fernandesit tashmë përfundimisht kanë dalë në pah te skuadra nga Premier League, Manchester United. Fernandesi prej se u transferua në “Old Trafford” në janar të këtij viti, është njëri prej lojtarëve më të rrezikshëm të Manchester Unitedit. Megjithatë, rruga e tij nuk është aspak e lehtë. Ai për të arritur deri te Manchesteri, u nis nga periferia e Portos, Maia ku falë një ndihme të vogël nga një zbulues talentesh, i cili gjithashtu ka përfunduar tek ekipi anglez.

Javier Ribalta, spanjolli që vazhdoi të jetë skauti kryesor i Manchesterit Unitedit prej edicionit 2017/18, atëherë ishte duke punuar për ekipin italian, Novara, dhe e njihte Miguel Pinhon, një agjent që e bëri Fernandesin klientin e tij të parë. Historia shkon që Ribaltas iu nevojitën vetëm 20 minuta për të parë lojën e mesfushorit 17-vjeçar për ekipin e të rinjve të Boavistas për t’u bindur me aftësitë e tij. Së shpejti Novara pranoi të paguante rreth 35 mijë euro, dhe në muajin gusht të vitit 2012 Fernandesi arriti në Bergamo me pak para në xhep dhe asnjë fjalë italiane. Por pati një problem pasi adoleshenti kishte nevojë për një certifikatë ndërkombëtare të transferimit përpara se të mund të luante.

Giacomo Gattuso, shefi i atëhershëm i skuadrës U19 te Novara, tha: “Ai ishte vërtet i irrituar dhe pas disa lojërave ai erdhi dhe më tha: ‘Trajner, unë jam këtu për të luajtur dhe bërë futbollist. Nëse nuk mund të luaj, do të preferoja të kthehem në Portugali’. Ne ishim aq të shqetësuar! Ai ishte lojtari më i shtrenjtë i të rinjve në historinë tonë dhe rreziku ishte që ai të kthehej në Portugali pas një muaji. Nuk fjeta për disa net. Pastaj, ndodhi mrekullia, transferimi u krye dhe ai u lejua të luante. Pjesa tjetër është histori”.

Mirëpo, nuk mjaftoi vetëm certifikata. U desh një kthesë tjetër e fatit që Fernandesi të marrë shansin e tij në ekipin e parë të Novaras. Trajneri Attilio Tesset e kishte ngritur klubin nga Serie C në Serie A, por pas rënies në Serie B, Novara kishte vështirësi dhe ai u shkarkua. Gattuso u bë trajner i përkohshëm dhe e inkuadroi Fernandesin në 13 minutat e fundit të ndeshjes së parë të tij në krye të ekipit. I riu bëri një përshtypje, por duhej të priste deri në një shans tjetër - nën trajnerin e ri, Alfredo Aglietti.