Sport

Ngritja e Bashkimit

KB Bashkimi

Formën e mirë që basketbollistët e Bashkimit e kanë treguar kohët e fundit në Superligën e Kosovës, trajneri Branimir Paviq pret që ta dëshmojnë edhe në derbin lokal kundër Prizrenit-16, të mërkurën në palestrën “Sezai Surroi”. Kjo ndeshje luhet të enjten mbrëma prej orës 20:00 dhe i takon xhiros së 13-të të elitës së basketbollit kosovar. Paviq ka besim të madh në ekipin e tij që këtë edicion ka treguar ngritje të formës, pavarësisht problemeve që i pati në start. Aktualisht, Bashkimi është i katërti në tabelë me 19 pikë, tri më pak se Golden Eagle Ylli që është lider dhe ka një ndeshje më shumë të zhvilluar. Ka shtatë fitore karshi pesë humbjeve.

“Për mua, ndoshta ka qenë më lehtë të adaptohem në basketbollin e Kosovës, sepse e njoh ligën, por ne kemi punuar shumë dhe si trajner mendoj se jemi në një moment të mirë të rezultateve dhe formës, ndërsa synimi është që ta mbajmë sa më gjatë që do të mundemi”, ka thënë Paviq, i cili para Bashkimit ka qenë trajner i Vëllaznimit dhe Pejës. “Kështu që ndaj Prizrenit-16 do të japim gjithçka nga vetja për një rezultat të favorshëm, pavarësisht disa telasheve që i kemi në ekip me disa lëndime”.

Në fakt, Paviq u emërua në krye të Bashkimit para fillimit të sezonit dhe menjëherë hasi në telashe. Bashkimi nuk mund të stërvitej në palestrën “Sezai Surroi”, që ishte shndërruar në qendër vaksinimi kundër koronavirusit, kështu që ishte i detyruar të bënte zgjidhje nëpër sallat e shkollave të qytetit. Po ashtu edhe ndeshjet si vendas i luante në Suharekë apo Rahovec, periudhë që zgjati deri në muajin nëntor, kur edhe palestra u lirua. Paviq thotë se ajo periudhë nuk ishte aspak e lehtë, ndonëse pranon se me gjithë vështirësitë, ekipi jepte shenja të ngritjes dhe kjo e bënte të ndihej mirë.

“Fillimisht, të gjithë e dinë se kemi pasur probleme me palestrën që ka qenë e zënë dhe duhej të bënim zgjidhje për t’u përgatitur për sezonin e ri. Megjithatë, mendoj se e kemi menaxhuar mirë dhe kemi punuar mirë gjatë asaj periudhe, ku edhe disa prej ndeshjeve i kemi humbur vetëm për shkak të mungesës së fatit. Në përgjithësi, këtë sezon kemi pasur rezultate të mira, por ekipi është në nivelin që kam pritur të jetë në këtë periudhë”, ka shtuar Paviq, ekipi i të cilit është i vetmi që këtë sezon e ka mposhtur dy herë Trepçën që ka pasur formë fantastike prej fillimit. “Sezoni është i gjatë dhe sigurisht që si trajner jam i bindur që mund të luajmë edhe më mirë, por me rëndësi është të mbajmë formën aktuale. Tani për tani, synimi është që të mos kemi rënie, të jemi konkurrues dhe t’i bëjmë tifozët tanë krenarë me paraqitjet në parket. Mendoj se lojtarët me krenari po e bartin fanellën e Bashkimit dhe po mundohen të japin maksimumin”.

Paviq është njëri prej gjashtë trajnerëve të huaj këtë edicion në Superligën që përbëhet prej tetë skuadrave. Ai ka thënë se ky edicion nuk është aspak i lehtë dhe, sipas tij, ende nuk ka skuadër favorite për titullin e kampionit. Paviq tha se pas Vitit të Ri, gjërat mund të ndryshojnë në shumë aspekte.

“Ne duam të jemi në hap me ekipet e tjera, të shpresojmë të sigurojmë një vend në plejof dhe pastaj çdo gjë është e mundur, ndonëse varet prej disa faktorëve. Mendoj se Superliga e Kosovës çdo vit po bëhet më e fortë, kurse këtë sezon ekipet janë shumë më të forta sesa edicionin e shkuar. E them këtë, sepse kanë lojtarë të mjaftueshëm në ekip dhe kjo e bën kampionatin tejet konkurrues”, shtoi Paviq. “Është vështirë të thuhet se kush është favorit për titullin e kampionit, sepse është herët të bëhet një parashikim i tillë për shkak se kampionati është shumë i gjatë. Pas pauzës mund të ndryshojnë shumë gjëra, pasi sigurisht se ekipet do të lëvizin dhe mbetet të shihet se cilat do të jenë veprimet”.

Dueli mes Bashkimit dhe Prizrenit-16 është i vetmi që zhvillohet të mërkurën dhe i takon xhiros së 13-të. Të enjten do të luhen edhe dy duelet e tjera: Sigal Prishtina – Trepça dhe Peja – Drita.