Grupi KOHA prej vitit 2016 merr pjesë në votimin e UEFA-s për lojtarin më të mirë të vitit dhe për çmimet e tjera. Deri më tani pikët maksimale të KOHËS kanë shkuar për futbollistët që janë shpallur më të mirët në Evropë – Cristiano Ronaldo (dy herë), Luka Modriq, Virgil van Dijk e Robert Lewandowski
Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) e vazhdon të enjten në Stamboll traditën e shpalljes së më të mirëve në futbollin evropian. N’Golo Kante, Jorginho e Kevin de Bruyne konkurrojnë për çmimin kryesor – “Lojtari më i mirë i vitit” (UEFA Men’s Player of the Year). Njëri prej tre mesfushorëve që luajnë në kampionatin anglez do ta fitojë çmimin të cilit UEFA i kushton rëndësi të madhe dhe të cilin deri më tani e kanë fituar emrat më të mëdhenj të futbollit.
UEFA në vitin 2011 ka vendosur të formojë çmimin “Lojtari më i mirë në Evropë”. Për edicionin 2010/11, më i miri ishte shpallur Lionel Messi. Në vitin 2012, për edicionin paraprak (2011/12) më i miri ishte shpallur Andres Iniesta. Pasuan Franck Ribery (2013), Cristiano Ronaldo (2014), Messi (2015), Ronaldo (2016, 2017), Luka Modriq (2018), Virgil van Dijk (2019), Robert Lewandowski (2020).
Për dallim nga çmimi “Topi i Artë”, gara e UEFA-s nuk është dominuar vetëm nga Messi e Ronaldo. Ronaldo është i vetmi që e ka fituar çmimin tri herë, ndërsa Messi i vetmi që e ka fituar dy herë. Por UEFA ka shpërblyer edhe lojtarë të tjerë. Iniesta, Ribery, Modriq, Van Dijk e Lewandowski janë shpërblyer për të arriturat e tyre të jashtëzakonshme në vitet kur prekën kulmin. Dhe tani do ta fitojnë Kante, Jorginho apo De Bruyne, që të tre emra me peshë në futbollin ndërkombëtar. Për më të mirin e futbollit evropian, kryesisht për bazë janë marrë sukseset e lojtarëve me klube apo përfaqësuese e jo vetëm paraqitjet individuale. Dhe për këtë lista e atyre që kanë fituar është më e gjatë. UEFA ndan edhe shumë çmime të tjera, por ai për Lojtarin Më të Mirë të Vitit është kryesori. Çmimin mund ta fitojë secili lojtar që ka luajtur në ndonjë skuadër evropiane në edicionin paraprak, pavarësisht se nga cili vend është. Pra, nuk përjashtohen futbollistët nga kontinentet e tjera, me kusht që të kenë luajtur në skuadrat evropiane. Në fillim për çmimin kanë votuar vetëm gazetarët sportivë, në një format që vlente për “Topin e Artë” të dikurshëm. Por në vitin 2017, UEFA ka shtuar edhe 80 trajnerë të klubeve që merrnin pjesë në fazën grupore të Ligës së Kampionëve dhe të Ligës së Evropës. Këtë vit pos gazetarëve nga 55 vendet anëtare të UEFA-s kanë votuar edhe trajnerët e klubeve të fazës grupore e po ashtu trajnerët e 24 përfaqësueseve që ishin pjesë e “Euro 2020”. Prej vitit 2016 pjesë e jurisë që shpall më të mirin është edhe Grupi KOHA, që e përfaqëson Kosovën. Deri më tani KOHA ka dhënë votat maksimale për lojtarin që në fund është shpallur më i miri. KOHA, si shumica, është bazuar në sukseset e lojtarëve e jo në paraqitjet individuale të tyre.
Votat maksimale kanë shkuar për Ronaldon në vitin 2016 e 2017, për Modriqin në vitin 2018, për Van Dijkun në vitin 2019 dhe për Lewandowskin vitin e kaluar. Çmimi i UEFA-s në futbollin ndërkombëtar ende nuk e ka peshën e “Topit të Artë” (Ballon d’Or), ndonëse Konfederata Evropiane po i kushton rëndësi gjithnjë e më të madhe. Madje në fillim synimi i UEFA-s ishte ringjallja e “Ballon d’Or”, i cili ishte bashkuar me FIFA-n për ta formuar çmimin “FIFA Ballon d’Or” (FIFA Topi i Artë). Çmimi po ashtu zëvendëson një çmim të mëhershëm të UEFA-s për lojtarin më të mirë për klube. Për bazë merren paraqitjet e lojtarit në nivel klubesh dhe përfaqësuesesh. Sa i takon FIFA Ballon d’Or, çmimi në këtë format është ndarë nga viti 2010 deri në vitin 2015, për lojtarin më të mirë në botë. Është ndarë nga FIFA së bashku me France Football. Ishte bashkim i çmimit të FIFA-s për “Lojtarin më të mirë” dhe i “Topit të Artë”, dy çmimeve më prestigjioze në botën e futbollit.
Çmimi ndahej me votat e trajnerëve dhe kapitenëve të përfaqësueseve e jo vetëm me votat e gazetarëve si “Topi i Artë” deri në vitin 2009. Messi e ka fituar “FIFA Topin e Artë” në vitet 2010, 2011 e 2012. Ronaldo e fitoi në vitet 2013 e 2014, ndërsa Messi sërish në vitin 2015. Më pas FIFA e “France Football” vendosi që sërish e vetme të shpallë më të mirët. Çmimi “FIFA World Player of the Year” (“Lojtari më i mirë i vitit në botë” sipas FIFA-s) është ndarë nga viti 1991. FIFA prej vitit 2016 çmimin e saj për lojtarin më të mirë të vitit e quan “The Best FIFA Men’s Player”. Ronaldo e ka fituar në vitin 2016 e 2017, Modriq në vitin 2018, Messi në vitin 2019 e Lewandowski në vitin 2020. Por çmimi kryesor individual vazhdon të jetë “Topi i Artë” (Ballon d’Or).
Ndarja me FIFA-n nuk e ka humbur vlerën e çmimit që “France Football” e kishte ndarë për herë të parë në vitin 1956. Pas ndërprerjes së bashkëpunimit me FIFA-n, “Ballon d’Or” u kthye si çmim i vetëm në vitin 2016. Cristiano Ronaldo e fitoi në vitin 2016 e 2017. Modriq në vitin 2018, Messi në vitin 2019 e Lewandowski në vitin 2020. Por çmimi kryesor individual vazhdon të jetë “Topi i Artë” (Ballon d’Or). Ndarja me FIFA-n nuk e ka humbur vlerën e çmimit që “France Football” e kishte ndarë për herë të parë në vitin 1956. Pas ndërprerjes së bashkëpunimit me FIFA-n, “Ballon d’Or” u kthye si çmim i vetëm në vitin 2016. Cristiano Ronaldo e fitoi në vitin 2016 e 2017. Modriqi e fitoi në vitin 2018, e Messi në vitin 2019. Vjet “Topi i Artë” nuk është ndarë për shkak të pandemisë COVID-19. Është vlerësuar e padrejtë ndaj Lewandowskit që kishte pasur një vit të jashtëzakonshëm. Ndonëse “Topi i Artë” mbetet çmimi kryesor në futbollin ndërkombëtar, çmimi i UEFA-s po fiton në peshë dhe përcakton goxha shumë garën për “The Best” dhe për “Ballon d’Or”. Lojtari që të enjten shpallet më i miri në Evropë, me shumë gjasë do të fitojë edhe dy çmimet e tjera prestigjioze të futbollit ndërkombëtar.