Sport

Nga jetesa e vështirë tek ëndrra për t’u bërë yll

Një top i shfryrë në qosh të oborrit e shumë mjete pune e rrethojnë Elvir Gashijanin, 14-vjeçarin nga Mitrovica, që vlerësohet talent i madh në futboll.

Shtëpia ku jeton Elviri – me një numër të madh anëtarësh të familjes – është jo më larg se 50 metra nga stadiumi “Riza Lushta” në Mitrovicë. Elviri në atë stadium mori hapat e parë si futbollist. Gashijani tregon se nuk kishte pasur mundësi të jetë i rregullt në ushtrime, ndonëse dëshirën thotë se e kishte të madhe. Talentit 14-vjeçar nga Mitrovica vijimin e rregullt ia mohonte jetesa e vështirë në familje, që e përcjell edhe sot. Gashijani qysh si 10-vjeçar detyrohej t’i përvilte mëngët dhe t'i ndihmonte familjes me punë fizike. Këtë e bënte për ta siguruar bukën e gojës. Madje, shkaku i punës të cilën e ka bërë për disa vjet, Gashijani thotë se ishte detyruar ta ndërpresë edhe shkollimin.

Sot gjithçka është më ndryshe për të. Gashijani është i rregullt në shkollë dhe stërvitje për ta ndjekur ëndrrën për t'u bërë yll futbolli. Ndjekjen e ëndrrës për t'u bërë futbollist profesionist po ia ndihmojnë Afrim Ajeti, babai i tre futbollistëve profesionistë Arlind, Albian dhe Adonis Ajetit, bashkë me Adil Vokrrin, vëllai i legjendës së Kosovës, Fadil Vokrri.

“Kam dëgjuar për Elvirin prej dy njerëzve, një italiani dhe një serbi të Akademisë së Crvena Zvezdës të Beogradit. Pas dhjetë ditësh kam ardhur në Kosovë, jam takuar me Adilin dhe kemi biseduar më gjerësisht për të takuar Elvirin dhe familjarët e tij. Jemi nisur menjëherë drejt Mitrovicës dhe nuk kemi lënë shtëpi pa pyetur se ku banon Elviri, derisa e kemi gjetur”, thotë Afrimi, që jeton në Zvicër.

Në fakt, vizita e papritur e Ajetit dhe Vokrrit katër muaj më parë në orët e vona në shtëpinë e Elvirit ngjalli frikë te familja Gashijani. Doli të ishte vizita e shpresës, thotë në rrëfimin e tij gjyshi i Elvirit, Shaban Gashijani.

“Më kanë pyetur nëse është shtëpia e Elvirit dhe a jam unë babai i tij. U thashë se jam gjyshi tij dhe Elviri është nipi im. Më kërkuan që t'ua liroj Elvirin të hyjë në veturën e tyre. Nuk isha as për po e as për jo, sepse kisha frikë, pasi ishte hera e parë që takohesha me Afrimin dhe Adilin. E morën Elvirin dhe shkuan, por qëndroja me mendje tek ai, sepse thosha me vete se mos po e dërgojnë diku. Kanë shkuar deri te banesat dhe kur e pashë që u kthyen për besë u gëzova”, ka thënë gjyshi i Elvirit, Shabani.

Pas xhiros disaminutëshe të bërë me veturë, Elviri, gjyshi dhe babai tij Sedati, u bindën për të nënshkruar një kontratë që ua jepte të drejtën Afrimit dhe Adilit ta merrnin përsipër menaxhimin e karrierës së Elvirit.

Nuk bëhej fjalë për refuzim. Pranuam pa u menduar dy herë, thotë Shabani, gjyshi i Elvirit. Shabani thotë se për nga mënyra e lojës, Elviri i ngjan goxha shumë yllit të Argjentinës, Lionel Messit. Në fakt, edhe në lagje e njohin si "Messi", ndërsa gjyshi thotë se ëndrra e Elvirit është të arrijë të bëjë karrierë si të Messit.

“Elviri ka luajtur edhe në Rudar, pasi është ndërprerë këtu futbolli shkaku i virusit. I ka ndihmuar skuadrës së Rudarit në disa ndeshje duke luajtur andej (në veri të Mitrovicës v.j.). Afrimi më kërkoi nëse ishte e mundur ta shikonin një stërvitje duke luajtur Elvirin. Dhe me ta parë më kanë thënë se ka perspektivë dhe janë bindur për ta marrë përsipër menaxhimin e tij. I thashë se stilin me aq sa di dhe kam parë, Elviri e ka si të Linoel Messit. Jemi të kënaqur, sepse na kanë ndihmuar në shumë aspekte në familje. Elvirit i kanë dhënë banesë në Prishtinë për të jetuar, ndërsa shkaku që është i ri në moshë ka kërkuar që të mos qëndrojë i vetëm në banesë, por t'i mundësohet udhëtimi i përditshëm nga Mitrovica. Ai është i rregullt me stërvitje, pasi udhëtimi i hiqet nga Afrimi dhe Adili. E ndihmojnë Elvirin edhe me para, ndërsa ne të gjithë kemi shpresë se Elviri do të arrijë ta tregojë veten dhe të bëjë karrierë të madhe”, është shprehur Shabani.

Image

Rruga drejt Zvicrës

Shabani tregon se nipi i tij ka qenë kampion në vrapim në garat e krosit të organizuara në shkolla. Por, thotë se futbollin e ka dashur më shumë.

Hapat e parë Elviri i mori në shkollën e futbollit Trepça '89, ndërsa herë pas here ka dalë edhe në veri të Mitrovicës për ta ndihmuar në disa ndeshje klubin Rudari.

Në klubin e Rudarit vazhdojnë ende ta thërrasin, por është gjyshi që nuk e lejon të luajë as në lagje, e lërë më të luajë për ndonjë ekip tjetër. Gashijani ftohet te Përfaqësuesja U-17 e Kosovës.

Se nuk e lënë të luajë në lagje e thotë edhe vetë Elviri. Por, ai insiston se kur një ditë të bëhet i famshëm, lagjen ku është rritur nuk do ta harrojë kurrë.

“Shokët e mi nuk po besojnë që unë kam arritur të luaj edhe për Kosovën U-17. Nuk po mund ta mendojnë që kam arritur deri këtu dhe se kam plane të mëdha për të ardhmen time. Ata po më ftojnë të luaj ende në lagje, por mua nuk po më lë më gjyshi të luaj, sepse po frikësohet mos po pësoj ndonjë lëndim. Por, unë nuk do t'i harroj asnjëherë shokët e lagjes. Kjo lagje për mua do të jetë gjithmonë e paharruar. Do ta kujtoj gjithmonë prej nga vij dhe çfarë kam hequr dhe si ia kam dalë të mbijetoj”, ka deklaruar Gashijani.

Elviri është rritur në duart gjyshit dhe gjyshes, për të cilët ka respekt të madh. Ai tregon se është gjyshi që e ka shtyrë të mos i ndërpresë stërvitjet, mirëpo ai e kuptonte mirëfilli se kushtet në familje nuk ishin më të mirat të mundshme dhe se duhej të angazhohej edhe me punë. Kurse, tani e vetmja gjë që i mbetet është ta ndjekë ëndrrën.

“Tani unë jam i fokusuar vetëm në mësime dhe futboll. Të gjithë po angazhohen për mua, kurse unë shpresoj t’ua kthej me të mirë. Unë jam rritur te gjyshi dhe kam një lidhje të fortë me të. Unë dua të bëhem lojtar i madh për ta ndihmuar familjen time. Do të punoj shumë për ta realizuar ëndrrën time, që një ditë të luaj në Evropë”, është shprehur ai.

Kosova, zgjedhja e parë

Ai tregon se gjatë verës gjasat janë të mëdha që të marrë rrugë drejt Zvicrës për t'u regjistruar në Akademinë e Futbollit të Baselit.

“Ëndrra ime është të dal, të shkoj në Zvicër, t’i ndihmoj familjes time dhe të bëj karrierë të madhe profesioniste. Do të mundohem për të gjithë për një jetë më të mirë. Më kanë thënë se do të jem në prova te Baseli, por do të shohim se çfarë do të bëjmë”, ka thënë Gashijani.

Ai tregon edhe për lidhjen e ngushtë që ka me Kosovën. Thotë se me shumë dëshirë do të luante për Përfaqësuesen A të Kosovës dhe tregon se i preferuari i tij është Edon Zhegrova.

“Unë jam i gatshëm të luaj gjithmonë për Kosovën. Dua të arrij të luaj për Kosovën A. Kosovën e dua shumë e dua”, ka theksuar talenti Gashijani.

Fjalë të mëdha për talentin e Elvirit ka edhe trajneri që punon me gjeneratat e reja te 2 Korriku i Prishtinës, Labinot Haziri, ndërsa shpresa të mëdha se do të bëjë karrierë të madhe ka edhe kryetari i klubit, Shaban Baholli. Talenti po ushtron te 2 Korriku para kalimit jashtë vendit.

“Ka aftësi të mira fizike, shpresoj që ai të vazhdojë të punojë me këtë ritëm, që nesër të paraqitet në arenën ndërkombëtare si lojtar profesionist. Aftësitë që i posedon premtojnë shumë, mirëpo i duhet edhe puna që ai ta arrijë qëllimin që e ka”, ka thënë trajneri i shkollës së futbollit 2 Korriku, ka thënë Haziri.

Sipas menaxherit Afrim Ajeti, Elviri ka katër mundësi për ta vazhduar karrierën jashtë Kosovës. Ndër to përmend Baselin, por dëshira e tij është ta shtyjë drejt Valencias në Spanjë. Afrimi është i bindur se Elviri gjatë verës do të jetë pjesë e ndonjë akademie të njohur të futbollit evropian.

“Katër shtete janë mundësi, por në Basel është më së afërmi. Megjithatë, dëshira ime është ta shoh në Valenica. Por, se ku do të bëhet vetëm Zoti e di. Do ta shohim ku do ta ketë fatin Elviri, sepse ende nuk e dimë, por ne do ta provojmë në të gjitha anët”, ka thënë Ajeti.