Drilon Hazrollaj është lojtari më i shtrenjtë që është transferuar nga futbolli kosovar në ndonjë skuadër të huaj.
Hazrollaj në verë u transferua nga skuadra e Malishevës te Rapidi i Bukureshtit në Rumani për 900 mijë euro.
Por kjo shifër mund të kalohet së shpejti.
Sulmuesi i Llapit, Elvir Gashijani, mund të bëhet futbollisti i parë nga Kosova që mund të lëvizë për më shumë mbi 1 milion euro.
Këtë e ka paralajmëruar të dielën trajneri i Llapit, Tahir Batatina.
Paraqitjet e sulmuesit nga Mitrovica me Llapin por edhe me gjeneratat e reja të Kosovës kanë bërë që klube nga Evropa të shprehin interesim.
Batatina ka theksuar se negociatat për transferimin e Gashijanit kanë filluar. Ai ka shtuar se klubi ka refuzuar oferta me vlerë prej 500 mijë eurosh për kartonin e sulmuesit të talentuar.
“Kanë filluar negociatat për Elvir Gashijanin. Kemi oferta zyrtare, kemi refuzuar shifra prej 500 mijë eurove. Kanë filluar negociatat e tjera. Ne nuk do të nxitojmë në afatin kalimtar të janarit pa arritur vlerën që ne e mendojmë që ka lojtari, një vlerë shumë më e madhe. Do të shohim se si do të shkojnë negociatat. Kanë filluar interesimet nga shumë shtete. Ka edhe shtete evropiane por edhe shtete nga jashtë Evropa”, u shpreh Batatina.
19-vjeçari Gashijani pjesë e Llapit është nga vera e vitit 2023. Hapat e parë i ka filluar te klubi mitrovicas, Trepça ’89.
Për dy vjet ishte pjesë e 2 Korrikut. Ka gola dhe asistime me fanellën e Llapit. Kontrata me Llapin i përfundon në vitin 2027.
Gashijani shquhet për lojën e mirë në repartin ofensiv. Është ndër talentet më të mëdhenj aktualisht në Superligën e Kosovës.
Batatina ka treguar se për Gashijanin ka oferta prej 1 milion euro.
Trajneri llapjan thekson se pesë klube nga vende të ndryshme kanë dërguar oferta zyrtare për Gashijanin.
“Nëse arrihet vlera që ne pretendojmë të marrim, mund të ndodh transferimi edhe në afatin kalimtar të janarit. Ka oferta afër 1 milion euro, por ka oferta që tejkalon shifrën e 1 milion eurove që po diskutohet për kartonin e Gashijanit. Nga Danimarka ka interesim për lojtarin, nga Turqia është fokusi më i madh, nga shtetet skandinave po ashtu. Kemi klube nga pesë shtete që kanë dërguar oferta zyrtare. Por duhet parë se cila ofertë është më interesante edhe për klubin edhe për lojtarin”.
Te Llapi ka edhe lojtarë tjerë që vlerësohen perspektivë. Prej tyre është edhe sulmuesi Ariant Hasani.
Gashijani ka pesë ndeshje të zhvilluara me Kosovën U21. Por ka paraqitje edhe me Kosovën U19 dhe U17.