Sport

Nga Izraeli në Zvicër, Kosovën e presin tjera kualifikime sfiduese

“Bloomfield Stadium” është arena ku përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të nisë ciklin e ardhshëm kualifikues. Më 25 mars, “Dardanët” e luajnë ndeshjen e parë të kualifikimeve për Euro 2024. Përballë Kosovës do të jetë Izraeli, ndërsa ndeshja do të luhet në Tel Aviv.

Kosova është në Grupin I të kualifikimeve për Kampionatin e ardhshëm Evropian. Është një grup sfidues dhe atë jo vetëm në aspektin sportiv. Zvicra, Izraeli, Rumania, Kosova, Bjellorusia dhe Andorra janë në grup.

Dy të parët e grupit kualifikohen në Evropian, ndërsa Kosova synon njërën prej këtyre dy pozitave. Megjithatë, nuk do të jetë e lehtë për të përzgjedhurit e Alain Giresse. Zvicra llogaritet favorite e grupit, ndërsa pos saj kualifikimin e synojnë Izraeli, Rumania, Kosova e Bjellorusia. Grupi llogaritet i hapur, ndërsa edhe Kosova e kërkon rastin e saj.

Por , si në ciklet e kaluara kualifikuese, grupi e ka edhe anën politike. Rumania e Bjellorusia nuk e njohin shtetin e Kosovës. Në Rumani ka pasur zëra që ndeshjet me Kosovën të bojkotohen edhe me kusht që të humben me rezultat zyrtar. Por federata rumune ka mohuar një mundësi të tillë. Ndërkohë në Bjellorusi ka pasur vlerësime se me zhvillimin e ndeshjeve, ky shtet do ta njeh Kosovën.

Derisa Rumania do të luaj në territorin e saj ndaj Kosovës, një gjë të tillë nuk do ta bëj Bjellorusia. Për shkak të përfshirjes në pushtimin rus të Ukrainës, UEFA ka vendosur që Bjellorusia ndeshjet si vendës t’i luajë në territor neutral dhe pa praninë e shikuesve. Ndeshjen e parë Bjellorusia e ka me Zvicrën, më 25 mars, dhe atë do ta organizojë në Novi Sad të Serbisë. Ndeshja Bjellorusi – Kosovë luhet më 19 qershor, por është e qartë se nuk do të luhet në Serbi. Atë ndeshje bjellorusët do ta organizojnë në një shtet tjetër.

Në aspektin sportiv, përfaqësuesja e Kosovës nuk është në momentin më të mirë. Vjet nuk kishte rezultatet që priteshin prej saj. Ka dështuar ta fitojë grupin në Ligën e Kombeve të UEFA-s, që e kishte synim. Gjatë vitit 2021, Kosova u paraqit në kualifikimet për Botërorin 2022. Dhe mbeti e fundit në grup, pas Spanjës, Suedisë, Greqisë e Gjeorgjisë.

Në pesë grumbullimet e këtij viti, Kosova do t’i luaj nga dy ndeshje kualifikuese. Pra orarin e ka shumë të ngarkuar dhe vështirë se do të ketë hapësirë për ndonjë ndeshje miqësore.

Pas udhëtimit në Izrael, Kosova menjëherë më 28 mars e luan ndeshjen e parë në shtëpi. E pret Andorrën. Më 16 qershor e pret edhe Rumaninë, ndërsa menjëherë më 19 qershor është ndeshja në udhëtim ndaj Bjellorusisë. Në shtator, përfaqësuesja luan me Zvicrën në Prishtinë dhe Rumaninë në udhëtim. Këto pritet të jenë ndeshjet më të vështira. Ndeshja Kosovë – Zvicër është më 9 shtator, ndërsa ajo Rumani – Kosovë më 12 shtator.

Në tetor, Kosova luan me Andorrën në udhëtim dhe me Izraelin në shtëpi. Udhëtimin e fundit do ta ketë në Zvicër, më 18 nëntor, ndërsa ndeshjen përmbyllëse Kosova e ka më 21 nëntor, ndaj Bjellorusisë në Prishtinë.

Është hera e dytë që Kosova luan në kualifikimet për Evropian. Kualifikimet e kaluara, për Euro 2020, ishin më të suksesshmet për “Dardanët” deri më tani. Kosova kishte përfunduar e treta në grup, pas Anglisë e Çekisë, por thuajse deri në fund ishte në garë për kualifikim. Prej atëherë përfaqësuesja ishte në rënie, ndërsa ngritja tjetër shpresohet të ndodhë këtë vit.

Në Federatën e Futbollit të Kosovës kanë vlerësuar se “është një moment i mirë që Kosova të kualifikohet në Evropian”.

Ndërkohë selektori Giresse më herët e kishte vlerësuar të vështirë grupin.

“Shorti na ka vendosur në një grup që mund të themi se është i vështirë. Madje shumë i vështirë, me ekipe të forta. Por është grup që na lejon të motivohemi, të kemi ambicie dhe të themi se mund të bëjmë një performancë”, kishte thënë Giresse për KOHËN.