Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Neymari kthehet për ndeshjen më të rëndësishme të Pochettinos

Paris, 12 janar (Reuters) – Sulmuesi i Brazilit, Neymar, është kthyer pas katër javëve nga lëndimi dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen më të rëndësishme të trajnerit të ri të Paris Saint-Germainit, Mauricio Pochettino.

PSG-ja të mërkurën mbrëma luan kundër Olympique Marseille në kuadër të Superkupës së Francës, që është mundësi e artë për trajnerin Pochettino që të rrëmbejë trofeun e parë me ekipin nga Parisi. Ndeshja kundër Marseillet do të jetë e treta për Pochettinon, i cili javën e shkuar mori drejtimin e PSG-s pas shkarkimit të gjermanit Thomas Tuchel.

Futbollisti më i shtrenjtë në botë, Neymar, nuk ka luajtur për PSG-n që nga humbja kundër Lyonit (13 dhjetor), ndeshje në të cilën lëndoi kyçin e këmbës. Në fakt ai i ka munguar ekipit në pesë ndeshjet e fundit dhe kthimi i tij për duelin e rëndësishëm ka gëzuar shumë trajnerin Pochettino. Në dy ndeshjet e para, Pochettino ka regjistruar një barazim dhe një fitore në kuadër të kampionatit francez. PSG barazoi me Saint-Etiennen (1:1) dhe triumfoi ndaj Brestit (3:0), ndeshje këto që janë luajtur gjatë javës së shkuar.

“Neymar është i gatshëm dhe do të jetë në ekip. Mirëpo pak para ndeshjes do të vendosë nëse do të jetë titullar apo do të aktivizohet nga banka e rezervistëve. Po ashtu plotësisht i gatshëm për këtë ndeshje të rëndësishme është edhe Kylian Mbappe”, është shprehur Pochettino të martën. “Jam maksimalisht i motivuar për ta fituar trofeun e parë, por është e rëndësishme që ekipi të tregojë lojë të mirë. Jemi të fokusuar për ta fituar këtë ndeshje pasi e di rëndësinë e saj për shkak se e kam provuar edhe si lojtar”.

Ndeshja e Superkupës së Francës është luajtur jashtë kufijve në dekadën e fundit, kryesisht në Kinë. Mirëpo, këtë herë është vendosur që të luhet në qytetin verior të Francës, Lens, për shkak të situatës me pandeminë e koronavirusit. Në këtë takim nuk do të lejohet prania e tifozëve në tribuna.

PSG-ja edicionin e shkuar, që në Francë u ndërpre për shkak të pandemisë, e ka fituar titullin dhe kupën e Francës derisa Marseille doli nënkampion. Në këtë finale përballë njëri-tjetrit do të jenë dy ish-trajnerët e Tottenhamit. Në krye të Marseillet është portugezi Andre Villas-Boas, që ishte trajneri i Tottenhamit përpara Pochettinos. Ky i fundit qe angazhuar te Tottenhami gjashtë muaj pas largimit të portugezit Villas-Boas, në dhjetor të vitit 2013.

Edhe Forma e Neymarit shqetëson Parisin Sport Forma e Neymarit shqetëson Parisin

Pochettino ka thënë se e njeh shumë mirë homologun e tij nga Portugalia. Ndeshja e fundit mes këtyre dy skuadrave e luajtur në shtator të vitit të shkuar ka përfunduar me fitoren e Marseillet (1:0) në kuadër të kampionatit. Ishte ky triumfi i parë për Marseillen pas nëntë vjetësh përballë PSG-së.

“Andre dhe unë kemi qenë trajnerë te Tottenhami dhe e njohim njërin-tjetrin shumë mirë”, është shprehur Pochettino.