Ardhja e Lionel Messit te Paris Saint-Germaini ka bërë që ekipi francez të posedojë sulmin më të frikshëm në futboll. Por, tani, trajneri Mauricio Pochettino është nën presion për të siguruar lavdinë që pronarët e klubit e dëshirojnë më shumë se gjithçka.
Kjo do të thotë se ai duhet ta fitojë Ligën e Kampionëve, një garë në të cilën PSG-ja ka arritur në finale dhe më pas në gjysmëfinale në dy sezonet e fundit. Sigurisht kjo gjithashtu do të thotë se Pochettino duhet ta rikthejë titullin e kampionit të Ligue 1, të cilin e humbi sezonin e shkuar nga Lille.
Dhe normalisht që kjo pritet nga një trajner kur në sulm ka lojtarët si Lionel Messi, Neymar dhe Kylian Mbappe, pa llogaritur yjet e tjerë.
“Sfida ime tani është të sigurohem që të gjithë këta lojtarë kryesorë të formojnë një ekip të aftë për t’i përballuar të gjitha sfidat përpara vetes”, tha Pochettino të premten. “Ne duam të sigurohemi që ky ekip të bëhet një njësi e fortë. Ne të gjithë e dimë se Messi është lojtari më i mirë, ose një nga lojtarët më të mirë në botë, pa asnjë dyshim. Megjithatë, ne kemi lojtarë të tjerë dhe Kyliani është gjithashtu një nga lojtarët më të mirë në botë”.
Pochettino e ka parasysh presionin. Presidenti i klubit, Nasser al-Khelaifi, gjatë prezantimit të Messit tha se Championsi mbetet objektivi kryesor i PSG-së. Ai shtoi se me Messin kanë krijuar një ekip të fortë dhe pret që sukseset të mos mungojnë.
Messi iu bashkua PSG-së si lojtar i lirë pas largimit nga Barcelona dhe firmosi kontratë dyvjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër, me pagë vjetore prej 35 milionë eurosh.
Edhe
Messi i gatshëm ta udhëheqë Parisin drejt triumfit në Champions
Në xhiron e parë të edicionit 2021/22, PSG-ja triumfoi në udhëtim ndaj Troyesit me rezultatin e ngushtë 2:1. Ndërsa të shtunën mbrëma PSG-ja e pret në shtëpi Strasbourgun. Messi nuk do të debutojë në këtë ndeshje dhe këtë e konfirmoi edhe Pochettino. Ai të enjten ka nisur stërvitjet me klubin dhe pritet ta luajë ndeshjen e parë zyrtare me ekipin e ri në fund të këtij muaji, më 29 gusht, në udhëtim kundër Reimsit. Messi para ndeshjes me Strasbourgut vetëm do të jetë i pranishëm në stadium për t’i përshëndetur tifozët.
“Sa i përket datës se kur mund të debutojë Messi, mund të them se ende ka kohë. Ai ka mbajtur vetëm dy stërvitje dhe vjen pas një muaji pushim. Ne do t'i marrim gjërat hap pas hapi, do të njohim njëri-tjetrin dhe do ta bëjmë atë të ndihet i aftë dhe i rehatshëm, në mënyrë që të jetë në gjendje të bëjë debutimin e tij kur të jetë plotësisht në formë”, paralajmëroi Pochettino.
PSG-ja është ndër skuadrat më të përforcuara gjatë këtij afati kalimtar. Krahas Messit janë transferuar edhe Georginio Wijnaldum, Gianluigi Donnarumma, Sergio Ramos e Achraf Hakimit. Për Hakimin, PSG-ja i pagoi 70 milionë euro Interit, ndërsa të tjerët i transferoi si lojtarë të lirë. Ramos nuk pritet të debutojë për shkak të lëndimit të pësuar dhe Pochettino nuk ka shumë kohë për ta kompletuar ekipin për sezonin 2021/22, në të cilin pritet shumë prej PSG-së.