Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Neymar po insiston të largohet nga Parisi

Neymari u ka thënë zyrtarëve të Paris Saint-Germainit se më nuk do të luajë, ndërsa po tenton të bëjë të mundur transferimin te Barcelona, njoftoi gazeta "Sport" të enjten.

Neymar 27-vjeçar është lidhur me një rikthim sensacional te Barcelona këtë verë, mirëpo krerët e Parisit i kanë thënë se nuk do të shkojë askund në këtë afat kalimtar.

Sipas gazetës spanjolle "Sport", Neymar tash po merr masa drastike dhe nuk e ka ndërmend të plotësojë asnjë nga kërkesat, derisa të arrihet marrëveshja për transferimin e tij.

Te Parisi kishin shpresuar se superylli brazilian do të pranonte qëndrimin së paku edhe një stinor, me kusht që t'i garantohet shitja verën e ardhshme.

Mirëpo, braziliani insiston të largohet tash dhe ka vendosur të stërvitet vetë në fazën parasezonale të PSG-së në Kinë.

Ai ende nuk ka luajtur ndeshje me klubin qëkur është kthyer nga pushimi veror dhe duket se do të vazhdojë protestën.

Deri më tash Barcelona ka ofruar vetëm lojtarë plus para për Neymarin, por Parisi po kërkon së paku 180 milionë euro për brazilianin.

Mësohet se është aranzhuar një takim në Liverpool mes krerëve të Barcelonës dhe atyre të PSG-së në tentim për të arritur një marrëveshje.

Pronari i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, do të takohet me presidentin e Barçës, Josep Bartomeu, në takimin e Asociacionit të Klubeve Evropiane më 15 gusht në Merseyside.

Dy klubet nuk kanë një marrëdhënie të mirë për shkak të mënyrës se si Neymari u transferua te Parisi nga Barcelona në verën e vitit 2017, për shifër rekorde prej 222 milionë eurosh. Atëbotë Parisi thjesht pagoi klauzolën për lirim që kishte sulmuesi brazilian në kontratën me Barcelonën dhe nuk bisedoi fare me krerët e Barçës.

Artikuj të ngjashëm