Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Neymar kërkon të kthehet te Barcelona?

Neymari kthehet në qendër të vëmendjes së mediave sportive. Për brazilianin po shtohen zërat që flasin se është penduar për kalimin e tij te Paris Saint German dhe se ka shfaqur dëshirën për t’u kthyer te skuadra e Barcelonës.

E përditshmja spanjolle ‘El Mundo Deportivo’ ka publikuar një artikull në lidhje me këtë dëshirë të brazilianit dhe kjo nuk është hera e parë, transmeton tch.

Por që Neymari të kthehet te Barcelona duhet që të ndikojnë një sërë faktorësh. Së pari, duhet që stafi teknik i klubit katalanas ta shohë si të nevojshëm këtë rikthim të tij.

Së dyti, duhet bindur Paris Saint Germaini dhe së treti duhet paguar një shumë e majme për riblerjen e kartonit të Neymarit dhe për momentin kampionët e Spanjës as nuk e çojnë në mendje të bëjnë një shpenzim të tillë për Neymarin, i cili duhet të përmirësojë imazhin e tij, duke qenë se një pjesë e mirë e tifozëve të Barcelonës janë kundër tij për mënyrën sesi ai u largua në drejtim të klubit parizien.

Përfaqësuesit e brazilianit shpeshherë kanë bërë pyetjen se çfarë duhet të bëjë Neymari për t’u kthyer te Barcelona duke lënë të kuptohet se transferimi i tij në Paris ishte i volitshëm në aspektin ekonomik, por jo në atë sportiv.

Ajo që nuk duhet harruar në këtë pikë, është edhe çështja e shifrës së 26 milionë eurove për rinovimin që Neymari dhe babai i tij ia kërkuan Barcelonës, por që klubi katalanas refuzoi t’ia akordojë duke bërë që futbollisti ta denoncojë. Pavarësisht gjithçkaje, te Barcelona rikthimi i Neymarit nuk shihet si një mision i pamundur, por një lëvizje shumë e komplikuar.

Artikuj të ngjashëm