Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka pohuar se braziliani Neymar ishte “i prirë” për një kthim në “Camp Nou” para largimit tronditës të Lionel Messit te Paris Saint-Germaini gjatë kësaj vere. Sulmuesi brazilian i kaloi katër vjet te Barcelona, duke fituar dy tituj kampioni në La Liga, tri kupa të Spanjës dhe një trofe të Ligës së Kampionëve. Ai ishte pjesë e fazës sulmuese që përbëhej nga Leo Messi e Luis Suarez.
Gjatë qëndrimit të tij në Paris, Neymari ishte lidhur rregullisht me një rikthim në klub për t'u ribashkuar me shokun e tij, Messin dhe Laporta ka pohuar se ai ka folur me 29-vjeçarin për t'u kthyer te Barcelona në fillim të këtij viti para çështjeve financiare të klubit nga La Liga që u bënë aq të dukshme. Neymari te PSG-ja, u transferua në verën e vitit 2017 duke u bërë lojtari më i shtrenjtë në histori të futbollit për një tarifë prej 222 milionë eurosh. Neymar tani është ribashkuar me argjentinasin te PSG-ja, pasi problemet financiare të Barçës nënkuptuan se klubi spanjoll nuk ishte në gjendje t'i ofronte Messit një kontratë të re, pavarësisht se ishin pajtuar për kushtet. Tani, Laporta ka pohuar se një ofertë për Neymarin ishte gati përpara se rregulli i ferplejit financiar të La Ligas t’i prishte të gjitha planet.
“Ne u përpoqëm të nënshkruanim me Neymarin. Nga bisedat që bëmë, sjellja e tij këtu dukej si një propozim tërheqës dhe ai ishte i etur të vinte te Barcelona”, tha Laporta. “Ne kishim plane tjera, por rregullat e reja të ferplejit financiar i prishën të gjitha planet. Më nuk kishte kuptim të bënim ofertë për Neymarin”.
Fituesi i gjashtë “Topave të Artë”, Messi, iu bashkua Parisit muajin e shkuar si lojtar i lirë. Ai firmosi kontratë dyvjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër, dhe pranoi se ishte Neymari ai që e bindi të transferohej te PSG-ja. Laporta, gjithashtu, mohoi se Messi mund të kishte nënshkruar kontratën e tij të re me klubin nëse Barcelona do të kishte arritur të largonte Antoine Griezmannin më herët gjatë verës. Griezmanni u rikthye tek Atletico Madridi në formë huazimi në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës. Presidenti i Barcelonës pranoi se ishte e çuditshme ta shihte Messin me një fanellë tjetër kur ai bëri debutimin e tij te PSG-ja para ndeshjeve të përfaqësueseve, duke shtuar se ai nuk ka folur me 34-vjeçarin që nga ajo kohë, por se ai e shikoi ndeshjen e tij të parë me klubin e tij të ri.
“Ishte e çuditshme ta shihje atë të vishte një fanellë tjetër, pasi e dija se nuk e kishim te Barcelona. Nuk më pëlqeu aspak ajo ndjenjë dhe nuk më pëlqeu ta shikoja duke luajtur për një klub rival, me të cilin jemi përballur në të kaluarën”, tha Laporta.
Sa i përket vendimit të Messit për t'u transferuar tek ekipi francez, Laporta shtoi: “Nuk më pëlqeu. Ata janë rivalët tanë”.