Newcastle Unitedi ka transferuar të dielën mesfushorin anglez, Harvey Barnes, nga Leicester City.
Shuma e parave të paguara për të nuk është bërë e ditur, kurse Barnes ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare. Barnes, i cili ka luajtur vetëm një ndeshje me Anglinë, bëhet transferimi i tretë i Newcastlet, pas sulmuesit Yankuba Minte dhe mesfushorit Sandro Tonalo.
“Mendoj se është ëndërr e çdo sulmuesi për t’u transferuar në një skuadër si kjo”, ka thënë Barnes.
“Jam jashtëzakonisht i kënaqur. Është një klub i madh dhe për mua është mundësi e madhe për t’u përfshirë në këtë ekip të suksesshëm”, ka thënë Barnes pas zyrtarizimit.
Newcastle përfundoi në pozitën e katërt në Premier League në edicionin e fundit dhe do të luajë në Ligën e Kampionëve për herën e parë që prej vitit 2003.