Newcastle United do të jetë testi i parë i vështirë për kampionin në fuqi të Anglisë dhe fituesin e tripletës për edicionin e kaluar, Manchester Cityn.
City, pas triumfit në Superkupën e Evropës, do të jetë nikoqir i Newcastleit, në ndeshjen e xhiros së dytë të Premier Leagues që nis në orën 21:00 dhe luhet të shtunën.
Newcastle fitoi 5:1 përballë Aston Villas në vikendin e kaluar. Sandro Tonali dhe Harvey Barnes shënuan në debutim, ndërsa dy gola i shënoi edhe Alexander Isak. Kjo tregoi se Newcastle sivjet do të jetë skuadër shumë e fortë për secilin kundërshtar.
City në mesjavë mposhti Sevillan në penallti në Superkupën e Evropës, por ndaj Newcastleit nuk do ta ketë mesfushorin Kevin de Bruyne, ndërsa në dyshim për të luajtur janë edhe Bernardo Silva, Ruben Dias dhe John Stones.
Newcastle nuk ka fituar në udhëtim te City në Premier League në 23 vjet.
Tottenham – Manchester United luhet të shtunën po ashtu, por nis më herët, në orën 18:30.
Ky takim vlerësohet derbi i xhiros së dytë.
Tottenhami e nisi periudhën e re pa sulmuesin Harry Kane në vikendin e kaluar, ndërsa trajneri Ange Postecoglu e nisi aventurën me barazim 2:2 në udhëtim te Brentfordi.
Unitedi në ndeshjen e parë fitoi 1:0 ndaj Wolverhamptonit, por hasi në shumë vështirësi.
Unitedi edhe në këtë ndeshje nuk do ta ketë sulmuesin e ri, Rasmus Hojlund, për shkak të lëndimit në shpinë.
Liverpooli të shtunën luan nga ora 16:00 në shtëpi kundër Bournemouthit. Chelsea të dielën do të luajë te West Hami nga ora 17:30, kurse nënkampioni i Anglisë, Arsenali, e mbyll xhiron e dytë të hënën, me ndeshjen që luan në udhëtim te Crystal Palace.