Michael Nees është në Gjermani aktualisht, i izoluar për shkak se është i infektuar me koronavirus. Por, të mërkurën gjatë ditës, ai nuk e dinte nëse është apo jo ende përzgjedhës i Kosovës U21.
Gjermani Nees ka mbetur shumë i befasuar me lajmin për shkarkimin e tij, por nënvizoi se ai ende ka kontratë valide me FFK-në.
“Jam i befasuar me këtë njoftim të uebfaqes së FFK-së. Ende kam kontratë valide me FFK-në dhe të gjithë në FFK kanë qenë të lumtur kur e mposhtëm Shqipërinë në ndeshjen tonë të fundit me grupmoshën U21. Nuk kam dëgjuar asgjë zyrtare nga udhëheqësit e FFK-së në lidhje me këtë njoftim në uebsajt. Askush nuk më ka kontaktuar për këtë çështje nga udhëheqësia e FFK-së dhe nuk veproj mbi bazën e gjërave që fliten. Prandaj, nuk mund të jap ndonjë koment tjetër”, tha Nees të mërkurën për KOHËN.
I pyetur se deri kur është valide kontrata e tij me FFK-në, Nees nuk dha ndonjë datë, por ritheksoi se kontrata e tij është ende në fuqi. Madje, edhe si Drejtor Teknik në FFK, post për të cilin, Federata e Futbollit e Kosovës tha se kontrata i ka skaduar më parë.
“Ende kam kontratë valide si Përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës U21 dhe si Drejtor Teknik i FFK-së. Për momentin, nuk mund të jap më shumë komente”, përfundoi Nees.
Nees në postin e të parit të Kosovës U21 erdhi në fund të janarit të vitit të kaluar, pas katër vjetëve të kaluara në pozitën e Drejtorit Teknik në Federatën e Futbollit të Kosovës.
E zëvendësoi në postin e përzgjedhësit Rafet Prekazin. FFK-ja kishte njoftuar se Neesi do t’i udhëheqë “Dardanët” e rinj në ciklin e tretë të kualifikimeve për Evropianin që nisi në muajin qershor.
Në kualifikime për “Euro 2023”, Kosova aktualisht zë pozitën e pestë. Pas pesë ndeshjeve ka gjashtë pikë, shtatë më pak se lideri Republika e Çekisë që ka 13 pikë, e një ndeshje më shumë të zhvilluar.