Jo vetëm basketbolli po i mbush palestrat kosovare. Të shtunën mbrëma palestra “Jeton Tërstena – Tota” në Vushtrri ishte e mbushur për ndeshjen e hendbollit mes Vushtrrisë dhe Trepçës. Nuk kishte asnjë vend të lirë, ndërsa përkrahja për ekipin vendas dhe presioni ndaj ekipit mysafir ishte i madh.
“Xehetarët” megjithatë përballuan presionin dhe shënuan fitore të rëndësishme me rezultatin 24:23. Ndeshja i ka takuar xhiros së nëntë.
Dy golat vendimtar për ekipin mitrovicas i shënoi kapiteni Sali Maxhera. Ai ishte më i miri me tetë gola gjithsej. Gjashtë gola i shënoi Kushtrim Kastrati. Te Vushtrria më efikasi ishte Fitim Klinaku me gjashtë gola.
Ndeshja ishte dramatike dhe u vendos fare në fund, ndonëse Trepça ishte në epërsi të vazhdueshme. Në fund Vushtrria kishte gjuajtje për të barazuar rezultatin, por portieri i Trepçës, Meriton Lladrovci intervenoi me sukses.
Po të shtunën, Prishtina fitoi ndaj Vëllaznimit, kurse Kastrioti e mposhti Llapin.