Sport

Në tatami, në përvjetorin e Pavarësisë

Medalja e argjendtë evropiane është suksesi më i madh në karrierën e deritashme të Laura Fazliut. Por, nuk pritet të jetë kështu edhe shumë gjatë. Laura po zhvillohet hovshëm dhe po shndërrohet në top-xhudiste botërore.

Hapin e ardhshëm drejt majës së xhudos botërore, 22-vjeçarja e synon në Grand Slamin e Tel-Avivit. Laura do të garojë të premten, në 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Laura në fakt do të sfidohet fuqishëm që në xhiron e parë të kategorisë deri 63 kilogramë. Përballë do ta ketë britaniken Gemma Howell, prej të cilës vjet humbi në finale të Evropianit në Bullgari.

Me xhudisten me përvojë nga Britania e Madhe, Laura e ka vetëm atë përballje deri më tani. Natyrisht synon revanshin dhe që të përfshihet në garë për medalje.

Nëse e kalon Howellin, xhudistja mitrovicase në xhiron e dytë do të përballet me Adelina Novitzkin të Izraelit apo hungarezen Brigitta Varga. Dhe me fitore të dytë, në çerekfinale me shumë mundësi do të përballej me bartësen e parë, kanadezen Catherine Beauchemin-Pinard.

Laura është bartësja e tetë dhe po lufton në secilën garë për pikë, që i shërbejnë për të fituar normën olimpike. Është në rrugë të mirë, ndërsa konkurrencën e ka shumë të fortë.

Në garat e këtij viti nuk e përcolli fati shumë. Mbeti pa medalje në Grand Prix të Portugalisë në janar dhe në Grand Slam të Parisit më herët këtë muaj.

Në Paris u ndal në raundin e tretë pikërisht nga kanadezja Beauchemin-Pinard, ndonëse ndaj saj ishte duke udhëhequr me uazari thuajse deri në fund. Por me një vendim të dyshimtë të gjyqtarëve mori dënimin e tretë 11 sekonda para fundit dhe humbi duelin.

“Shorti i Laurës nuk është më i përshtatshmi, por në gara të tilla kjo pritet. Të shohim se si do të paraqitet ajo. Përballë e ka kampionen evropiane, por niveli i Laurës nuk kontestohet. Shpresoj që ajo do të jetë në gjendje të shfaqë potencialin që e ka. Laurës i ka munguar fati në garat e fundit, por këto gjëra tejkalohen me përvojë. Ajo po ashtu duhet ta kuptojë që fatin duhet ta mbajë në duar, kur kjo është e mundur. E them këtë për faktin se në disa raste e ka neglizhuar taktikën e luftës. Natyrisht kemi punuar dhe po punojmë shumë në këtë drejtim”, ka theksuar trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Në Izrael, Laura ka pasur sukses të madh jo shumë kohë më parë. Më 20 dhjetor fitoi medaljen e argjendtë në Mastersin në Jerusalem. Mastersi mbledh xhudistët më mirë nëpër kategori.

Grand Slami i Tel-Avivit ka nisur të enjten. Po marrin pjesë 398 xhudistë nga 52 shtete. Prej Kosovës paraqitet vetëm Laura Fazliu. Me medalje të artë fitohen 1000 pikë në ranglistën botërore.

Xhudistët e Kosovës e kanë nisur vitin me sukses. Kanë fituar medalje në tri garat e deritashme, në Grand Prix të Portugalisë, Grand Slam të Parisit dhe në European Open në Sofje të Bullgarisë.