Ethet e Kampionatit Botëror “Katari 2022” kanë pushtuar në tërësi edhe një shtet si Bangladeshi, që është i çmendur pas kriketit. Në kryeqytetin Dhaka, i cili është mijëra kilometra larg Rio de Janeiros dhe Buenos Airesit, ekziston një rivalitet i madh mes tifozëve të Brazilit dhe Argjentinës. Ata debatojnë për këtë rivalitet, dekorojnë ballkonet me flamujt përkatës dhe pikturojnë muret me ngjyrat e këtyre dy përfaqësueseve, që konsiderohen favorite për të triumfuar në turneun e Katarit, i cili nis të dielën.
“Është rivalitet i tërbuar, nëse dëshiron ta përshkruajë me një fjalë të ashpër”, thotë Aqueed Kader Chowdhury. “Ky rivalitet e aktivizon gjithë shtetin, i cili ndahet në dysh”.
40-vjeçari Chowdhury është tifoz i flaktë i Brazilit dhe thotë se gjatë muajit të Botërorit mund të ketë edhe përleshje mes rivalëve. Këtë e konfirmon tifozi i Argjentinës, Nofel Wahid. Ai thotë se ka situata kur tifozeritë rivale përleshën dhe gjuhen me gurë, qoftë për humbje apo fitore të Brazilit apo Argjentinës.
“Bangladeshi në termin e popullsisë është shtet shumë i madh, por ky vend ndahet kur është në pyetje rivaliteti për Brazilin dhe Argjentinën. Është paksa qesharake se si një shtet në qendër të Azisë ka rivalitet për përfaqësuese nga Amerika e Jugut. Mirëpo, është vështirë të shpjegohet”, shtoi Wahid.
Rivaliteti për Brazilin dhe Argjentinën, në Bangladesh ka filluar në vitet 1980-ta. Futbolli nisi të përcillej pas pavarësisë së Bangladeshit në vitin 1971, kur njerëzit ishin në gjendje të blinin televizorë dhe prej aty kanë filluar ta shikojnë Kampionatin Botëror. Një pjesë e bangladeshasve është dashuruar pas Argjentinës, ndërsa pjesa tjetër pas Brazilit. Ndërkohë, prej Botërorit 1990 të mbajtur në Itali, banorët e Bangladeshit mblidhen në mënyrë rituale për çdo turne për t’i shikuar ndeshjet.
Edhe
Kupa e Botës U20 në Argjentinë për yjet e ardhshme të futbollit nis të shtunën
“Humbja e Brazilit apo Argjentinës përjetohet rëndë në Bangladesh. Të gjithë pothuajse bëjnë tifo për këto dy përfaqësuese”, shtoi Chowdhury.
Sipas tij, shumica as nuk kanë njohuri për turnetë dhe sa herë që takohen Brazili me Argjentinën mendojnë se ndeshje i takon Kampionatit Botëror. Ai thotë se kështu ndodhi edhe në finalen e Copa America vitin e shkuar, në të cilën Argjentina e mposhti 1:0 Brazilin.
“Shumica e tifozëve as që e dinin emrin e turneut, ata thjeshtë brohorisnin për përfaqësuesen e tyre”, kujton Chowdhury.
Me Botërorin “Katari 2022” që nis të dielën, atmosfera nëpër rrugët e Dhakas është e zhurmshme dhe gjithçka lidhet me Brazilin e Argjentinën. Nëpër dyqane ka vetëm fanella dhe flamuj të këtyre përfaqësueseve, kurse interesimi është jashtëzakonisht i madh. Chowdhury insiston se Brazili do të triumfojë, pasi ka një sulmues si Neymari. Ndërsa, Wahid beson në Argjentinën e Lionel Messit. Chowdhury ka një problem brenda shtëpisë së tij. Ai dhe gruaja e tij e mbështesin Brazilin, ndërsa i biri i tij ka preferencë krejtësisht tjetër.
Edhe
Messi shkakton çmenduri në Argjentinë para ndeshjes me Panamanë
“Në mes gjithë kësaj rrëmuje dhe rivaliteti të madh mes Argjentinës dhe Brazilit, djali im çuditërisht e ka zgjedhur Belgjikën. Nuk e kuptoj sepse këtu pothuajse askush nuk e shikon dhe nuk e njeh Belgjikën”, thotë Chowdhury për të birin 15-vjeçar.
Ndërkohë, Wahid shton: “E kam një kushëri të ri i cili është tifoz i Gjermanisë”.