Në momentin e tij të triumfit të dielën, Lewis Hamilton reflektoi për humbjet, demonët dhe rritjen personale që e kanë çuar te titulli i gjashtë i kampionit në Formula 1.
Derisa stafi i “Mercedesit” po festonte, fjalët që tha Hamiltoni pas garës treguan shumë për atë si njeri, siç ka treguar edhe shpirti luftarak që ka shfaqur në pistë në tentim për të siguruar titullin me fitore në garën për Shpërblimin e Madh të SHBA-së.
Fitoren nuk e arriti, pasi fitues doli kolegu i skuderisë Valtteri Bottas, por gomat që nisën t’i shpenzoheshin në rrathët e fundit bënë që Hamiltoni të dorëzonte vendin e parë.
Vendi i dytë ishte i mjaftueshëm për t’u bërë vetëm piloti i dytë prapa Michael Schumacherit, që ka fituar gjashtë e më tepër tituj. Schumacher e mban rekordin me shtatë sosh.
“Nuk e di, çdo rrugëtim është ndryshe. Çdo vit kalon nëpër shumë emocione për të arritur aty ku je. Çdo vit kemi vështirësi me diçka në jetë. Unë jam munduar t’u tregoj njerëzve, nga jashtë, se gjërat gjithmonë duken mirë, por nuk është ashtu rasti. Dhe edhe unë vuaj me shumë gjëra të ndryshme, duke luftuar demonë të ndryshëm dhe duke u munduar të sigurohem që të rritem në mënyrë konstante si person”, ka thënë ai.
Hamilton ka thënë se e ka pasur shumë të vështirë të përballojë vdekjen e shokut të tij dhe të kampionit të trefishtë Niki Lauda, që ishte kryetar joekzekutiv i “Mercedesit” dhe ishte vendimtar për ta bindur atë që t’i bashkohej “Mercedesit”.
Rreziqet e punës po ashtu janë vënë në pah me vdekjen e Anthoine Hubertit në një aksident me shpejtësi të lartë në garën e Formula 2 në Shpërblimin e Madh të Belgjikës. Francezi ishte 22-vjeçar.
“Humbja e Nikit nuk kam menduar se do të më godiste aq fortë siç më goditi. Më mungon çdo ditë dhe nuk e kisha kuptuar se sa shumë e doja atë njeri. Po ashtu humbëm një djalë të ri në Belgjikë. Unë e pashë në televizor ndërsa ndodhi. Kur një gjë e tillë ndodh, atëherë të shkakton dyshime në kokë. Pasi ka shumë jetë pas garave. Unë ende dua të kaloj kohë me familjen time, dua të kem një familje timen një ditë, gjithë këto gjëra të ndryshme. Por e dua aq shumë këtë që bëj, saqë nuk mendoj se ka shumë gjëra që mund të më ndalin”, ka shtuar Hamilton.
Hamilton titullin e kampionit e ka siguruar dy gara pa përfunduar stinori. Ai nuk dëshiron të reflektojë tash për stinorin.
“Zakonisht reflektimi vjen në fund të vitit, kur puna të mbarojë dhe kur thjeshtë mund të ulesh dhe të relaksohesh e pish ndonjë birrë. Unë gjithmonë shikojë mënyra për t’u përmirësuar dhe më pëlqen të jem në sport”, ka shtuar britaniku 34-vjeçar.
Hamilton nuk mendon ende të ndalet. Ai ka fituar dhjetë nga 19 garat këtë stinor.
“Unë gjithmonë kam thënë se arritja e Michaelit kurrë nuk ka qenë synim për mua. Nuk jam person që mendon për rekorde dhe gjëra të tilla. Por unë besoj se kam aftësi të vazhdoj të rritem dhe të bëj më tepër me këtë skuadër dhe brenda F1. Ky është synimi im, por vetëm koha do të tregojë. Tash për tash, jam i fokusuar që të qëndroj shëndosh, të buzëqesh sa më tepër dhe ta shijoj këtë rrugëtim të bukur që e quajnë jetë”, ka shtuar Hamilton.