Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Në kujtim të Bacës Lah, trajnerit legjendar

Rezultatet e trajnerit të xhudos, Driton Kuka, sot janë të pakrahasueshme me ato të trajnerëve të tjerë, të çfarëdo sporti e kohe në Kosovë.

Por kjo ndjenjë krenarie për Kukën dhe xhudistët e tij është e re, diçka e krijuar në vitet e fundit.

Më herët ishte dikush tjetër që simbolizonte punën, përkushtimin, dijen dhe suksesin në sport. Ishte trajneri i boksit, Lah Nimani. Për boksierët ishte shumë më tepër, gati figurë atërore.

Sot legjendat e boksit kosovar “të gdhendur” nga dora e tij, flasin më përulje e shpesh edhe u dridhet zëri kur kujtojnë punën me të.

“Prej 24 orëve të ditës, ai më duket se 26 orë ka folur për këtë sport”, tenton të tregojë përkushtimin e Nimanit, Mehmet Bogujevci, lider i gjeneratës që bëri kërdi në ringjet e ish-Jugosllavisë.

Baca Lah, siç njihej ndër boksierë dhe më gjerë, ishte shtylla e klubit të boksit Prishtina, që për shumë vjet dominoi ringjet.

Nën drejtimin e tij, Prishtina gjatë viteve 70' e 80' fitoi pesë herë titullin e Jugosllavisë, gjashtë herë doli nënkampione dhe tri herë zuri vendin e tretë. Pra, për plot 14 stinorë, skuadra e tij ishte ndër më të mirat. Shpesh edhe u pengua nga politika për të qenë më e mira. Gjatë këtij rrugëtimi lider i ekipit ishte Bogujevci, që në vitin 1978 doli nënkampion i botës.

Sukseset pa fund dhe dominimi i gjatë

“Lahi ka pasur një personalitet të fortë, ishte pedagog, punëtor i dashuruar në boksin. Thjesht ka jetuar me boksin, pasi e ka pasur me të lindur. Po ashtu ka punuar shumë, ka mësuar për çdo ditë. Nuk është limituar vetëm me ata që ka ditur, por tërë kohën ka mësuar. Mallin e Lahit po ma heq Driton Kuka, sepse po bën pothuajse një punë identike”, thotë Bogujevci.

Klubi Prishtina dhe puna e Nimanit kanë krijuar plot legjenda si Bogujevci. Ka nxjerrë fitues të medaljeve olimpike, botërore, evropiane e ngjarjeve tjera./Tahir Sopi

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në “E Diela me Koha Ditore”)

Artikuj të ngjashëm