Sport

Në klubin prizrenas po punohet për të nxjerrë boksierë kampionë

 

Prizren, 14 janar – Në murin e sallës ku stërvitin boksierët e klubit Prizreni janë të vendosura tri fotografi të mëdha – të Edis Tatlit, Armend Xhoxhajt dhe Naser Shalës. Janë tre boksierët me të cilët krenohet qyteti i Prizrenit.

Por, trajneri i klubit Prizreni, Votim Zaplluzhani, është i bindur se ata nuk do të jenë të vetmit. Ai pret shumë nga gjenerata me të cilën po punon aktualisht. Është optimist se për një periudhë të shkurtër, jo vetëm Prizreni, por e gjithë Kosova do të krenohet me ta. Zaplluzhani thotë se po e rrit një gjeneratë që do t’i sjellë Kosovës medalje nga ngjarje të mëdha botërore.

“Besoj dhe shpresoj që këta që bëjnë pjesë në gjeneratën e re do të sjellin medalje, pasi tani si klub jemi më të organizuar dhe kemi kushte më të mira se klubet e tjera. Boksierët janë të frymëzuar nga ish-boksierët që kanë qenë pjesë e klubit Prizreni dhe edhe këta synojnë medalje evropiane dhe botërore”, ka thënë Zaplluzhani për KOHËN.

Ai mburret që nga klubi i boksit Prizreni kanë dalë boksierë kampionë. E të tillë thotë se ka edhe në gjeneratën e re të boksierëve të klubit, që stërviten në një hapësirë në palestrën “Sezai Surroi”. Kushtet elementare për stërvitje nuk u mungojnë. Në kënd të sallës ndodhet edhe një ring ku boksierët matin forcat ndërmjet vete. Atyre nuk u mungon vullneti për t’u marrë me këtë sport, si vajzave ashtu edhe djemve të gjeneratave të ndryshme.

“Kjo është gjenerata e pestë që unë jam si trajner në ekipin e boksit Prizreni. Jam shumë i kënaqur me këtë gjeneratë që e kemi tani, kemi boksierë seniorë, juniorë, kadetë. Janë shumë të mirë, shumë të respektueshëm dhe shumë të disiplinuar. Dy boksierë i kemi në përgatitje me përfaqësuesen e Kosovës, ata janë Çlirim Berisha dhe Endrit Hoxhaj”, është shprehur Zaplluzhani.

Në fakt klubi i boksit Prizreni është mirë i organizuar. Kështu thonë edhe nga Federata e Boksit e Kosovës. Kryetari i klubit, Ruzhdi Rexha thotë se për të pasur suksese më të mëdha i duhet ndihmë më e madhe financiare.

“Boksi është një sport shumë i shtrenjtë, kërkon përgatitje të mëdha, financim dhe logjistikë. Momentalisht klubi i boksit Prizreni përkrahet prej subvencioneve të Komunës së Prizrenit, eventualisht donatorëve, bizneseve të ndryshme, të cilat na ndihmojnë, por jo me shuma të mëdha. Lirisht mund të them se është një buxhet vjetor maksimalisht 3.000 euro. Paramendoni me 3.000 euro po marrim pjesë në garat evropiane për juniorë e seniorë. Po të kishim buxhetin dhjetëfish më shumë apo të hyra të tjera, ku do të mund të arrinte një boksier. Ne po përballojmë problemet me të cilat po ballafaqohemi”, ka thënë Rexha.

Ndërkohë boksierë të klubit Prizreni insistojnë se synimet janë të mëdha. Madje nuk e fshehin edhe optimizmin që shpejt do t’i sigurojnë Kosovës medalje në ngjarje të mëdha botërore, megjithëse thonë se konkurrenca nëpër kategoritë e tyre është goxha e fortë.

Anamaria Koni është njëra prej boksiereve që ka nisur të merret vonë me këtë sport. Por synimet e saj janë të mëdha. Koni aktualisht garon në kategorinë deri 64 kilogramë.

“Në vitin 2020 shkaku i pandemisë nuk kam mundur të arrij asnjë sukses. Kemi ushtruar shumë pak për shkak se kemi qenë të detyruar të qëndrojmë në shtëpi. Kemi ushtruar, por është ndryshe prania në palestra. Atë që nuk kam mundur ta realizoj në vitin 2020, shpresoj ta arrij në vitin 2021. Planet janë të mëdha dhe synimi im është të jem e para në kategorinë time dhe t’i jap vullnet vetes dhe klubit për të përparuar më shumë”, ka thënë Koni.

Të njëjta i ka planet edhe boksieri 11-vjeçar, Ensar Badalli, që garon në kategorinë 48 kilogramë.

“Kam dëshirë të bëhem kampion bote. I përcjell të gjithë boksierët që janë më të mirët për të arritur aty ku janë edhe ata”, thotë Badalli.

Fjalëpakë, por punëtor i madh është 14-vjeçari Lumturim Xhoxhaj i kategorisë 49 kilogramë.

“Unë jam duke ushtruar shumë që të sjell medalje në Kosovë, medalje evropiane. Falënderojmë trajnerin që është duke bërë punë të pandalshme që ne të kemi sa më shumë suksese”, ka thënë Xhoxhaj.

Pjesë e klubit janë edhe dy boksierët e përfaqësueses së Kosovës, Endrit Hoxhaj dhe Çlirim Berisha, që janë bashkë me disa boksierë të tjerë në përgatitje në Durrës. Të dy vlerësohen shpresë e madhe për medalje.