Sport

Te Prishtina, madhështinë e klubit e dëshmojnë vetëm fotografitë në mure

Fotografitë e vendosura në murin e një prej sallave të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë dëshmojnë për të kaluarën e lavdishme. Disa prej atyre që janë paraqitur përmes fotografive kanë vdekur. Të tjerët flasin vazhdimisht për rëndësinë që klubi i boksit Prishtina kishte për Kosovën dhe për shtetin e dikurshëm federativ.

Dy fotografi janë veçuar prej 16 sa janë vendosur në sallën e klubit të boksit Prishtina. E para është e Lah Nimanit, trajnerit legjendar që e ngriti Prishtinën në superfuqi të boksit. Tjetra është e Sefedin Brahës, ndihmësit të Nimanit në kohën kur Prishtina fitonte titujt e kampionit.

Poshtë tyre ishin fotografitë e boksierëve të mëdhenj të dikurshëm si Aziz Salihu, Mehmet Bogujevci, Sami Buzolli, Xhevdet Peci, Nazif Gashi e disa të tjerëve.

Në fund ishte fotografia e Agim Tahirajt, trajnerit aktual të shkollës së boksit Prishtina.

Në sallën e boksit, Tahiraj mbante stërvitje me rreth dhjetë të rinj që synojnë karrierë në boks. Karrierë ndoshta si ajo që e kishin legjendat e klubit, të paraqitura përmes fotografive.

Tahiraj thotë se fotografitë e disa prej boksierëve të mëdhenj të Prishtinës mungojnë. Por, kontributi i tyre nuk do të harrohet kurrë.

“Disa mungojnë. Fotografitë janë vendosur nga vetë kolegët tanë për të parë që dikur këtu ka pasur një gjeneratë të artë klubi i boksit ‘Prishtina’ dhe me siguri kur i shohin fotografitë besoj se te dikush lind edhe motivi për të punuar më shumë”, ka thënë Tahiraj.

Ai u qëndronte pranë boksierëve të rinj, që me aq forcë sa kishin godisnin thasët. Natyrisht, forca e tyre është e vogël në krahasim me forcën që kanë pasur boksierët e gjeneratës së artë të Prishtinës.

Klubi Prishtina aktualisht nuk është në mesin e më të mirëve në vend. Dhe shkëlqimi e madhështia që i kishte dikur, tani duken shumë të largëta.

“Vërtet nuk e ka dhe është për keqardhje, mirëpo shpresoj se do të vijë. Kur shohim fotot dhe punën që është bërë, tash nuk është i njëjti motiv. Mungon nga të rinjtë, por jo edhe nga ne si trajnerë. Ndoshta në të ardhmen do të kenë edhe më shumë motiv. Tash kemi disa të rinj që kanë motiv, por kjo nuk varet nga unë apo trajnerët e tjerë. Ka talente dhe me punë mund t’i arrijnë rezultatet që i kanë pasur gjeneratat e kaluara”, është shprehur Tahiraj.

Tahiraj merret kryesisht me gjenerata e reja. Ai ua mëson të rinjve çdo ditë elementet teknike të boksit. Thotë se në klub ka talente.

“Ka talente, por varet sa ata do të kenë vullnet për punë dhe varet se si do të jenë kushtet në palestër dhe në përgjithësi kushtet në sportin e boksit”.

Ish- boksieri pranon se në mesin e nxënësve ka edhe prej atyre që vijnë për rekreacion.

Për rekreacion në sallë nuk është Hamit Gjokaj. 20-vjeçari ka ëndërr t’i arrijë sukseset e boksierëve të gjeneratës së artë të Prishtinës. Thotë se janë motiv për të korrur suksese.

Klubit të udhëhequr nga Aziz Salihu ka kohë që i mungojnë sukseset, por edhe kushtet.

“Këta legjenda që po i shohim sigurisht se janë motiv për ne. Ëndërrojmë sukseset e tyre dhe po punojmë çdo ditë maksimalisht”, thotë Gjokaj.

Me dëshirën që ka për t’u marrë me boks, Adhurim Maloku pret që në të ardhmen ta shndërroj boksin në profesion.

“Kam pasur dëshirë gjithmonë të jem boksier dhe dëshiroj që një ditë të bëhem kampion bote”, ka thënë 9-vjeçari.

Të njëjtin synim e ka edhe moshatari i tij, Zgjim Tahiraj.

“Kam filluar me boks, sepse më pëlqen shumë ky sport dhe dua të bëhem një ditë kampion”.

Në Kosovë numri i klubeve po rritet, por numri i boksierëve cilësorë nuk ka lëvizur shumë.

Suksesin më të madh e ka arritur Donjeta Sadiku. Ajo vitin e kaluar fitoi medalje të bronzta në Botëror e Evropian. Shpejtim Bajoku ka fituar medalje të bronztë në Lojërat Mesdhetare.