Duke marrë parasysh që rreth 110 milionë njerëz jetojnë në Filipine, nuk është e mundur të pritet që të gjithë të jenë tifozë të basketbollit.
“Por është afër”, tha Tim Cone, trajneri më i mirë profesionist i vendit.
Dhe kjo mund të mos jetë gjithashtu një nënvlerësim. Kampionati Botëror i Basketbollit fillon të premten, i shpërndarë në tri shtete - Filipine, Japoni dhe Indonezi. Turneu do të jetë i përqendruar në Manila, ku raundet e ndeshjeve për medalje do të zhvillohen në fillim të shtatorit. Po ashtu, edhe Përfaqësuesja e favorizuar e SHBA-së do t’i luajë të gjitha ndeshjet e saj të Botërorit në Manila, ku tifozët kanë pritur prej vitesh këtë shans për të parë disa nga më të mëdhenjtë të këtij sporti.
“Është e vërtetë që lojtarët e mëdhenj të vijnë këtu. Do të jetë diçka madhështore”, tha Inigo Herrera, 25 vjeç, i cili punon në shitje për biznesin e familjes së tij në Manila. “Për ne është si një mundësi që jepet një herë në jetë. Nëse kjo është hera juaj e parë në Filipine dhe shikoni përreth, do të shihni fëmijë duke luajtur basketboll kudo”.
Amerikanët zbarkuan të martën në Manila. Ata u përshëndetën nga zyrtarët lokalë dhe të turneut në aeroport, kishin tifozë me motoçikleta që përcillnin autokolonën ndërsa autobusët e tyre po largoheshin, dhe u përshëndetën në hotelin e tyre nga shumë tifozë. Herrera ishte ndër ata që qëndruan në hollin e hotelit për të parë vetëm amerikanët.
“Unë kam ngërç për momentin”, tha një tjetër nga miqtë e Herreras, RJ Tan, teksa mbante një fanellë të Anthony Edwards.
Ai u emocionua shumë kur basketbollistët amerikanë kaluan pranë tij për të shkuar te ashensorët që të çonin në dhomat e tyre pas rreth 10 orësh fluturimi nga Abu Dhabi. Përfaqësuesja e Filipineve – vend që ka shpallur të premten një festë kombëtare, duke mbyllur shkollat dhe disa biznese për fillimin e këtij turneu - është në Kupën e Botës dhe synon të shkruajë historinë. Edhe pse ka shumë pak mundësi që Filipinet të fitojnë Botërorin, ka një përpjekje për të tërhequr të paktën 32.617 tifozë në ndeshjen e parë të Filipineve në turne dhe për të thyer rekordin e pjesëmarrjes në Kupën e Botës të vendosur në Toronto në vitin 1994, kur SHBA-ja mposhti Rusinë në duelin për medaljen e artë.
“Kam pasur fatin ta vizitoj Manilën në vitin 1996,” tha drejtori menaxhues i ekipit të SHBA-së, Grant Hill. “Dashuria për basketbollin në këtë vend është absolutisht e pabesueshme”.
Sekretari i përgjithshëm i FIBA-s, Andreas Zagklis, u pyet javën e kaluar për nivelin e emocioneve që kanë treguar Filipinet për Kupën e Botës. Ndërsa përgjigjja e tij ishte: “Nuk keni parë asgjë akoma”.
Basketbolli është një pasion në Filipine. Ka rreth 25.000 fusha të brendshme në vend, fusha të panumërta në natyrë - ato janë kudo. Të dhënat e mbledhura nga NBA-ja tregojnë se dyqani online i ligës mund të dërgojë dërgesa në 215 qytete dhe provinca në Filipine; nuk ka asnjë vend në atë listë ku liga nuk ka pasur dikë të blejë një fanellë ose ndonjë mall tjetër zyrtar.
“Është sporti numër 1 në vend dhe nuk mund ta thuash përfundimisht këtë për basketbollin në SHBA apo kudo tjetër”, tha trajneri i Miami Heat, Erik Spoelstra, që është ndihmës në ekipin amerikan dhe një hero në Filipine - nëna e tij është filipinase.
Legjenda thotë se mësuesit amerikanë sollën basketbollin në Filipine për herë të parë rreth fundit të shekullit të XX, dhe ai menjëherë mori hov. Ndryshe nga pjesët e tjera të Azisë, ku bejsbolli ose futbolli mund të mbretërojnë, basketbolli qëndron i vetëm në Filipine. I vetmi sfidues i tij i vërtetë në vitet e fundit ka qenë boksi, thjesht për shkak të Manny Pacquiao - i cili fitoi 12 tituj kampioni në tetë kategori të ndryshme.
“Njerëzit rriten në basketboll që nga mosha 2 dhe 3 vjeç”, tha Cone, ekipet e të cilit kanë fituar shumë tituj të ligës në Filipine. “Basketbolli këtu luhet gjatë gjithë vitit. Ne kemi tri sezone: sezonin me shi, sezonin e lagësht dhe sezonin e basketbollit. Ky është pasioni. Ne gjithmonë themi se kemi tri gjëra në Filipine: sport, basketboll dhe politikë”.
Ndryshe nga politika, basketbolli duket se është gjëja për të cilën mund të bien dakord të gjithë. NBA ka transmetuar ndeshje në Filipine për gati një gjysmë shekulli dhe organizoi një nga ndeshjet e para të ekspozitës ndërkombëtare - duke dërguar Washington Bullets të atëhershëm për të luajtur me një ekip “All-Stars” të Filipineve. Në Kampionatin Botëror do të paraqiten 32 përfaqësuese. Gjysma do të luajë ndeshjet e tyre të raundit të parë dhe të dytë në Manila, ndërsa tetë skuadra do të luajnë së pari në Xhakarta dhe tetë të tjera në Okinawa. Për javën e fundit të turneut, të gjithë pretenduesit për titull do të jenë në Manila dhe ndeshja për medaljen e artë zhvillohet më 10 shtator. Do të jetë një moment krenarie kombëtare, pavarësisht se kush fiton.
“Nuk mund të filloj të shpjegoj se sa i madh do të jetë ky moment për vendin” tha Cone.