Kapiteni i SHBA-së, Jalen Brunson, ka thënë të enjten se egoja do të mbahet larg, ndërsa amerikanët do të synojnë ta kthejnë titullin e kampionit të botës në basketboll, pas paraqitjes dëshpëruese katër vjet më parë.
Botërori i basketbollit fillon të premten. Ngjarja me 32 përfaqësuese mbahet në Filipine, Japoni dhe Indonezi. SHBA-ja nis kampanjën të shtunën me ndeshjen ndaj Zelandës së Re.
SHBA-ja do të luajë në Grupin C në Manila. Amerikanët janë në kërkim të rekordit pasi u renditën vetëm në vendin e shtatë në Botërorin e kaluar të mbajtur në Kinë në vitin 2019.
Trajneri i Golden State Warriors, Steve Kerr, ka përzgjedhur një ekip të ri e të talentuar. Në përfaqësuese nuk janë yjet më të mëdha të NBA-së.
Kapiteni i SHBA-së, Brunson, ka thënë se synimi i gjithë lojtarëve është që ta fitojnë Botërorin.
Edhe
Numër rekord i lojtarëve të NBA-së në Botërorin e basketbollit
“Sa herë që dalim në parket mundohemi të jemi më të mirë se herën e kaluar. Kjo ishte në mendjen tonë gjatë gjithë grumbullimit”, ka thënë basketbollisti i New York Knicks.
“Kemi shumë djem që vijnë nga situata të ndryshme dhe luajnë stile të ndryshme të basketbollit. Por këtu egot janë lënë jashtë derës. Ne të gjithë duam vetëm të fitojmë”, ka shtuar Brunson.
Ai është në Përfaqësuesen e SHBA-së bashkë me fundorët e All-Starit të NBA-së, Anthony Edwards të Minnesotas dhe Tyrese Haliburton të Indianas, si dhe me Austrin Reaves të LA Lakers.
Në ekip është edhe aloja e ekipit më të mirë mbrojtës të NBA-së për vitin 2022, Mikal Bridges i Brooklynit, Brandon Ingram i New Orleans dhe “rookie” i vitit 2023 në NBA, Paolo Banchero i Orlandos.
Kerr ka thënë se lojtarët e tij janë të uritur dhe në rritje.
“Kemi një grup vërtet të mirë që po e shijon procesin së bashku dhe po punon fort çdo ditë”, ka thënë Kerr, që ka shërbyer si asistent i Gregg Popovichit në Botërorin 2019 dhe në Lojërat e Tokios dy vjet më pas.
“Po mundohemi të bëhemi më të mirë për çdo ditë dhe të jemi të gatshëm pasi e dimë se sa i vështirë do të jetë turneu”, ka thënë Kerr.
Amerikanët nisin Botërorin pasi i fituan të gjitha pesë ndeshjet përgatitore. Seria përfshin fitoren ndaj kampiones në fuqi, Spanjës, dhe kthimin e pabesueshëm ndaj Gjermanisë. Amerikanët ishin 16 pikë prapa në fund të çerekut të tretë.
Kerr ka tërhequr vërejtjen se basketbolli ndërkombëtar “është krejtësisht ndryshe nga ai në NBA”. Ka theksuar se ka përzgjedhur lojtarë që mund të “bëhen ekip brenda një kohe të shkurtër”.
“Do të garojmë, do të luajmë sa më mirë që është e mundur dhe do të mundohemi ta fitojmë medaljen e artë”, ka thënë përzgjedhësi i SHBA-së. “Nëse nuk ia dalim, e dimë se do të ketë shumë kritika dhe jemi në rregull me këtë”.
Ky është Botërori i 19-të i basketbollit dhe i dyti me 32 përfaqësuese. Botërori përfundon më 10 shtator. Shërben edhe për kualifikim në Lojërat Olimpike të Parisit.
Edhe
SHBA-ja gati për ndeshjen në shtëpi kundër Paraguait
Në Botërorin e kaluar, Spanja kishte mposhtur Argjentinën në finale.
Të premten luhen ndeshjet e para në grupin A: Angola – Italia, Republika Dominikane – Filipinet.
Egjipti – Lituania dhe Meksika – Mali i Zi janë ndeshjet e grupit D që luhen të premten. Ndërkohë në kuadër të grupit E, ndeshjet e së premtes janë: Gjermania – Japonia, Finlanda – Australia.
Në grupin H, ndeshjet e së premtes janë: Kanadaja – Franca, Letonia – Libani.
Grupi A: Angola, Republika Dominikane, Filipinet, Italia
Grupi B: Sudani Jugor, Serbia, Kina, Porto Riko
Grupi C: SHBA-ja, Jordania, Greqia, Zelanda e Re
Grupi D: Egjipti, Meksika, Mali i Zi, Lituania
Grupi E: Gjermania, Finlanda, Australia, Japonia
Grupi F: Sllovenia, Kepi i Gjelbër, Gjeorgjia, Venezuela
Edhe
Superfuqia e basketbollit vazhdon me fitore në Olimpiadë
Grupi G: Irani, Spanja, Bregu i Fildishtë, Brazili
Grupi H: Kanadaja, Letonia, Libani, Franca