Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Në fëmijëri bashkëlojtarë, kundërshtarë në derbi

Ata luajtën së bashku si të vegjël në vitet 1990, kur baballarët e tyre po udhëhiqnin skuadrën e Parmas drejt trofeve në Itali dhe në Evropë. Tani dy 26-vjeçarët janë vetë në rolet kryesore duke hyrë në “Derby d'Italia” të së dielës.

Federico Chiesa është një sulmues dinamik për Juventusin dhe Marcus Thuram luan pothuajse të njëjtin pozicion për Interin. Një çerek shekulli më parë, baballarët e tyre – sulmuesi Enrico Chiesa dhe qendërmbrojtësi Lilian Thuram – ndihmuan Parmën për të fituar trofetë e Kupës së Italisë dhe Kupës së UEFA-s. Liliani vazhdoi të luante për Juventusin - kundërshtari i ardhshëm i djalit të tij - dhe Enrico u transferua në Fiorentina, ku djali Federico filloi karrierën e tij si lojtar. Të dy lojtarët aktualisht kanë shënuar nga katër gola këtë edicion, megjithëse Marcus Thuram ka shkuar një hap më tej se Chiesa, duke dhënë edhe pesë asistime.

Federico Chiesa ka qenë lojtari i vetëm konstant në sulmin e Juventusit me trajnerin Massimiliano Allegri që si partner të tij e vendoste herë Dushan Vllahoviqin, e herë Moise Keanen. Ndërkohë Marcus Thuram ka mbushur me mjeshtëri vendin bosh pas largimit të sulmuesit Romelu Lukakut nga Interi dhe ka krijuar një dyshe sulmi po aq të rrezikshëm me Lautaro Martinezin.

Është gjithashtu një ndeshje mes dy klubeve më të mira të Serie A këtë edicion, me Interin që mban dy pikë avantazh ndaj Juventusit në tabelë. Pas 12-të xhirove, Interi ka tubuar 31 pikë kurse Juventusi ka 29 sosh. Të dyja ekipet kanë vetëm nga një humbje. Duke pasur parasysh se Milani që zë vendin e tretë dhe ka tetë pikë më pak se lideri, “derbi i Italisë” mund ta nisë Interin ose Juventusin drejt titullit të kampionit. Interi tashmë është kualifikuar në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve, ndërsa Juventusi i goditur nga skandali nuk po luan në Evropë këtë edicion por vetëm në kampionatin italian. Është një përplasje mes stileve të kundërta të lojës, me Juventusin e Allegrit të njohur për mbrojtjen e ngjeshur dhe sulmet e rralla dhe Interin e Simone Inzaghit që mesatarisht shënon gati 2.5 gola për ndeshje në ligën italiane. Juventusi ka pranuar shtatë gola në 12 ndeshje të ligës këtë edicion dhe Interi ka lejuar vetëm gjashtë, si dhe ka sulmin më të mirë të ligës me 29 golatë realizuar, 10 më shumë se Juve. Në 10 ndeshjet e fundit në Serie A mes skuadrave në Torino, Interi ka arritur vetëm një fitore dhe Juve do ta shohë këtë ndeshje si një shans për t’u kthyer fuqishëm në garë për Scudetto, pasi ka dalë nga gara për titull në tri edicionet e fundit. Mund të ketë një djalë të tretë të Serie A të viteve 1990 në ndeshje, por anësori i Juventusit, Timothy Weah - djali i ish-sulmuesit të Milanit, George Weah - duket se do të humbasë ndeshjen për shkak të një dëmtimi. Një çelës për fituesin e këtij derbi mund të jetë mënyra se si lojtarë si Lautaro Martinez i Interit dhe mbrojtësi i Juventusit, Gleison Bremer, do të luajnë pas kthimit nga ndeshja e zhurmshme Brazil-Argjentinë në Amerikën e Jugut të martën. Dueli mes Juventusit dhe Interit, nis në orën 20:45 të dielën në Torino.

Artikuj të ngjashëm