Sport

Në boks e basketboll anulohen turne, futbolli në pritje të vendimit për fillim

Dy ngjarje sportive janë shtyrë të martën. Federata e Boksit e ka shtyrë turneun “Lah Nimani” të paraparë për fundjavë, ndërkohë që Federata e Basketbollit e Kosovës ka shtyrë një turne të vogël të lojtareve, që është dashur të mbahej po të martën.

Në Kosovë mbetet në fuqi vendimi i Qeverisë që ndalon aktivitetet sportive, si pjesë e masave në luftë ndaj COVID-19.

Vendimi në fakt nuk po respektohet. Ditë më parë u mbajt një turne i meshkujve në basketbollin tre kundër tre. Klubet e futbollit po ushtrojnë e po luajnë ndeshje miqësore, ndonëse këtë e kanë të ndaluar.

Por disa aktivitete nuk po lejohen. Ndër të tjera, shumica e palestrave janë të mbyllura, në pritje të një vendimi tjetër të Qeverisë. Në Federatën e Boksit të Kosovës njoftojnë se kërkesën për leje për organizimin e turneut “Lah Nimani” e kanë bërë më 31 gusht në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ky turne po shtyhet për herë të tretë.

“Me gjithë pritjet dhe kontaktet e vazhdueshme, MKRS-ja nuk ishte në gjendje të na garantonte lejen, duke hedhur përgjegjësinë në MSH dhe IKSHPK, për çka detyrohemi për herë të tretë të mos e mbajmë turneun ndërkombëtar ‘Lah Nimani’.

FBOXK konsideron se IKSHPK dhe MSH janë përgjegjëse për dhënien e masave mbrojtëse ndaj COVID-19, ndërsa MKRS në konsultim me Komitetin Olimpik të Kosovës duhet të marrin vendimin për zhvillimin e aktiviteteve sportive. Ky turne ka qenë i mirëseardhur për boksierët cilësore të rinj dhe seniorë, të cilët do të marrin pjesë në kampionatet evropiane U-18 në Mal të Zi dhe U-22 në Itali, muajin nëntor”, thuhet në njoftimin e FBOXK-së.