Sport

Në Athinë, hapi i parë i Kosovës drejt ringritjes

Me shumë akuza u përcoll humbja e Përfaqësueses së Kosovës në Futboll kundër Maqedonisë së Veriut në gjysmëfinalen e plejofit për kualifikim në “Euro 2020”. Ishte edhe fundi i ëndrrës për kualifikim në një ngjarje të madhe. Cak i akuzave ishin tre yjeve të Kosovës: Amir Rrahmani, Vedat Muriqi e Milot Rashica.

Edhe më i ashpër ishte opinioni pas disfatës së radhës që Kosova e pësoi ndaj Sllovenisë në “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, në kuadër të ciklit të dytë të Ligës së Kombeve pak ditë më vonë. Pati edhe opinione të ndryshme, përfshirë edhe ato se kishte përçarje brenda ekipit përfaqësues. Por krejtësisht tjetër ishte situata pas ndeshjes së zhvilluar të mërkurën mbrëma në Athinë. Futbollistët e Kosovës morën lëvdata të mëdha për pikën e madhe të fituar të mërkurën mbrëma në Athinë kundër ish-kampiones së Evropës, Greqisë, pas barazimit pa gola. Në kampin e “Dardanëve” thonë se kritikat janë të mirëseardhura, por jo akuzat e pabaza.

Ndaj Greqisë për shkak të lëndimeve, Kosova nuk llogariti edhe në Edon Zhegrovën, Arbër Zenelin dhe Valon Berishën. Edhe për tre futbollistët u tha se janë të pakënaqur shkaku i kritikave. Megjithatë, menaxheri i përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala, insiston se atmosfera brenda grupit përfaqësues është shumë e mirë. Kjo, sipas tij, u dëshmua edhe të enjten mbrëma në ndeshjen kundër Greqisë.

“Nëse ka përçarje brenda ekipit, ajo shihet më së miri në terren. Lojtarët kanë luftuar për njëri-tjetrin. Ka pasur edhe akuza pas penalltisë së fituar ndaj Anglisë. Vedat Muriqi e ka marrë, e ka gjuajtur penalltinë dhe nëse do të ishte ai që do t’i mbetej hatri do të ishte Valon Berisha e jo Vedati. Valoni është dashur të mos vinte e jo Vedati, për shkak se Vedati e gjuajti penalltinë ndaj Anglisë. Nuk mund ta kuptoj se për një periudhë të shkurtër ndërrohen mendimet e njerëzve”, është shprehur Shala. “Është në rregull të ketë kritika, ekipi i pranon kritikat, por është e pakuptimtë të shpifet dhe të gënjehet për ekipin kombëtar për qëllime të ndryshme. Lojtarët sigurisht se janë prekur, nuk ka qenë e lehtë, por opinionet e njerëzve nuk mund të ndikojnë në paraqitjen në fushë. Mendoj se duhet të tregohemi më të duruar me ata”.