Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ndihmësi i përzgjedhësit Giresse beson në potencialin e madh të Kosovës

Sebastien Bichard, ndihmësi i përzgjedhësit të Kosovës në futboll, Alain Giresse, insiston se “Dardanët” kanë potencial të madh. Madje ai insiston se Kosova ka kapacitet për t’u zhvilluar edhe më shumë për të arritur suksese në të ardhmen. E për këtë Bichard ka thënë se Kosovës duhet t’i bashkohen futbollistët që po hezitojnë t’i bashkohen, përcjell të premten sajti “lanouvellerepublique.fr”.

“Ka potencial për përparim, veçanërisht me gjeneratën e re. Ne do të duhet të bëjmë disa punë rekrutimi me shtetas të dyfishtë nga Zvicra, Gjermania, Suedia, Norvegjia ose Austria. Për ata që kanë dy kombësi, nëse nuk luajnë për shembull me Gjermaninë, mund të vijnë me ne”, ka pranuar Bichard.

Sipas tij, Kosova është një vend i pasionuar pas futbollit. Ai thotë se Kosova ka përkrahjen e madhe të tifozëve në secilin vend që luan.

“Kur fituam në Qipro, njerëzit po na prisnin në aeroport. Në krejt Evropën, tifozët tanë janë atje. Lufta në Jugosllavi e ndau vendin, por kualiteti në futboll dhe pasioni mbesin mjaft prezentë”, tha ai.

Bichard pati ardhur te Kosova si asistent i Bernard Challandesit dhe pati udhëhequr ekipin në disa ndeshje kur zvicerani qe infektuar me koronavirus. Bichard thotë se me largimin e Challandes në tetor të vitit të shkuar qe larguar edhe ai. Mirëpo, u rikthye sërish në stafin e përzgjedhësit të ri, Alain Giresse, me kërkesën e francezit.

“Unë e kisha mbyllur eksperiencën tek Kosova në muajin tetor me ish-trajnerin Challandes. Por, me kërkesë të Alain Giresses, federata më thirri prapë në muajin mars. Alaini kërkoi që të isha pjesë e stafit të tij. Kisha disa mundësi, por e pranova këtë ofertë. Marrim pjesë në Ligën e Kombeve dhe në kualifikimet e Kampionatit Evropian. Për mua ishte mundësia më e mirë për ta provuar nivelin e lartë të futbollit”, u shpreh Bichard. “Giresse e mori iniciativën të më thërriste, ma shpjegoi se si i sheh gjërat. Ai është i pasionuar pas futbollit në mënyrë enorme, njëjtë jam edhe unë, prandaj menjëherë e gjetëm gjuhën e përbashkët. Ai është mjaft njerëzor, i matur, i përulur, një person i mrekullueshëm”.

Edhe Giresse thotë se Kosova ka mundësi të kualifikohet në “Euro 2024” Sport Giresse thotë se Kosova ka mundësi të kualifikohet në “Euro 2024”

Giresse në fund të muajit shkurt të këtij viti është emëruar përzgjedhës i Kosvës. Nën drejtimin e tij, Kosova ka zhvilluar katër ndeshje: dy miqësore dhe katër në kuadër të Ligës C të Ligës së Kombeve. Fillimisht e mposhti 5:0 Burkina Fason në miqësore, përpara se të barazonte 1:1 ndaj Zvicrës në Zuerich. Në Ligën e Kombeve triumfoi ndaj Qipros e Irlandës së Veriut, kurse dy ndeshjet i humbi nga Greqia. Bichard thotë se me Greqinë nuk ishin të kompletuar dhe për këtë arsye humbën.

“Nuk i kishim të gjithë lojtarët tanë të pranishëm dhe Greqia, e cila do të ngjitet në Ligën B të Ligës së Kombeve është një ekip shumë rigoroz. Përzgjedhja jonë është interesante në letër, por jo gjithmonë homogjene dhe nëse nuk janë dy ose tre lojtarë bëhet e ndërlikuar”, pranoi Bichard.

Dy duelet e fundit të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve, Kosova i luan në fund të muajit shtator, me Irlandën e Veriut në udhëtim dhe Qipron në shtëpi.