Përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse, ka pranuar se bindja e lojtarëve që i synon në përfaqësuese jo gjithnjë është mision i lehtë. Francezi Giresse ka folur së fundi për një medium në vendin e tij për punën që e bën te Kosova. Ka thënë se synim është që të rritet ekipi dhe se afrimi i lojtarëve nga vendet e tjera është prej gjërave kryesore.
Sipas Giresses, gjurmimi i lojtarëve potencialë nuk është i njëjtë për secilën përfaqësuese.
“Përfaqësuesja e Kosovës zyrtarisht ekziston vetëm për gjashtë vjet. Gjatë luftës shumë kosovarë janë vendosur në vende evropiane ku kanë nisur në ekipe të reja. Për shembull Shaqiri, që ka zgjedhur Zvicrën, por që ka mundur të luajë për Kosovën. Gjetja e lojtarëve është element i rëndësishëm. Për shembull portieri i dytë i Frankfurtit (Diant Ramaj). Ai është me origjinë nga Kosova, por luan për të rinjtë e Gjermanisë. Ka shumë si ai. Nuk është lehtë të binden ata që të veshin fanellën e vendit të origjinës”, ka thënë Giresse.
Tekniku francez ka punuar gjatë në përfaqësuese afrikane dhe është përballur me situata të ngjashme.
“Është një fenomen që e kam hasur shumë në Afrikë dhe jo i lehtë për t’u zgjedhur. Më kujtohet që kam përzgjedhur një lojtar që për herë të parë po vinte në vendin e origjinës. Ishte i rritur në Francë, kishte kulturë franceze dhe po kthehej për herë të parë në Afrikë për të luajtur me përfaqësuesen e vendit të tij të origjinës”, ka thënë Giresse për “Le Quotidien Du Sport”.
Sipas Giresses, kualifikimi në “Euro 2024” është ëndërr për Kosovën.
Edhe
Me largimin e Giresset nuk përfundojnë problemet e Kosovës
“Kualifikimi në Evropian është ende ëndërr që duhet të bëhet realitet. Do të shohim shortin në tetor, por nuk do të jemi favoritë. Duhet të jeni të durueshëm me Kosovën, ashtu siç ishte rast me përfaqësueset afrikane”, ka theksuar Giresse.
Kosova në fund të shtatorit i luan dy ndeshjet e fundit në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve. Më 24 shtator luan me Irlandën e Veriut në Belfast, ndërsa më 27 shtator e pret Qipron në Prishtinë. Kosova tashmë është jashtë objektivave, pa gjasa për ta zënë vendin e parë në grup. Dhe këto dy ndeshje mund të shërbejnë për të testuar lojtarë të rinj, nëse Giresse dhe stafi i tij gjejnë të tillë.