Prishtinë, 11 prill – Kampionia në fuqi e Kosovës në futboll, Drita e Gjilanit, arriti fitore të lehtë të dielën në Podujevë ndaj Llapit. Gjilanasit mposhtën thellë, 4:2, llapjanët në “Zahir Pajaziti”.
Fitore në udhëtim shënoi edhe pretenduesja tjetër për titull të kampionit, Prishtina. “Bardhekatrit” në Skenderaj mposhtën Drenicën, 1:0, ndërsa fitore e pritshme ka qenë edhe ajo e Ballkanit e arritur në Suharekë përballë Besës (4:1).
Drita, Ballkani dhe Prishtina janë tri skuadrat e vetme që kanë mbetur në garë për titull të kampionit, kur kanë mbetur edhe tetë xhiro deri në fund të edicionit 2020/2021.
Trajnerët e futbollit, Afrim Tovërlani dhe Musa Selimi insistojnë se vetëm ndeshjet e ndërsjella të pretenduesve do të vendosin garën për titull.
Drita është e para me 61 pikë, e përcjellë nga Ballkani me 58 pikë, ndërsa Prishtina zë vendi e tretë me 57 pikë.
Ish-trajneri i disa skuadrave në vend, Tovërlani, është i habitur me Llapin e Drenicën se si humbën ndeshje të lehta si vendës.
“Sipas të gjitha gjasave do të vendosin ndeshjet e ndërsjella, sepse me sa pashë sot dy pretedueset fituan shumë lehtë ndaj dy skuadrave që luftojnë për t’i ikur minimumi barazhit. Më habiti anemia e Drenicës dhe Llapit nëse marrim parasysh se sa vështirë lëshojnë pikë nga fushat e tyre kur luajnë si nikoqirë. E sigurt është që dikujt nuk do t’i dalin matematikat në fund, pasi që secila i ka matematikat e veta për titull apo mbijetesë”, ka thënë Tovërlani.
Humbje nga Trepça ’89 pësoi të premten Abëria, që është në garë për mbijetesë. Madje, sipas Tovërlanit, Arbëria është dorëzuar, ndonëse insiston se është dëmtuar goxha shumë.
“Unë besoj që Arbëria është dorëzuar. Ndoshta të tjerat po dëshirojnë ta bëjnë të tillë. Me aq sa i kam parë ndeshjet, mendoj që Arbëria është dëmtuar mjaft shumë dhe ka lënë pikë pikërisht për këtë arsye”, është shprehur Tovërlani.
Edhe trajneri Musa Selimi thotë se gara do të vendoset me ndeshjet kur përballë njëra-tjetrës do të jenë skuadrat që garojnë për vendin e parë. Për një nuancë favorizon Dritën, që në Gjilan do t’i presë si Prishtinën ashtu edhe Ballkanin.
Drita do ta presë Prishtinën në xhiron e 30-të, ndërsa pas katër xhirosh pret edhe skuadrën e Ballkanit. Prishtina e Ballkani do të luajnë ndërmjet vete në xhiron e 36-të, në kryeqytet. Në xhiron e fundit, pra të 36-tën, Drita do të jetë vendëse kundër Arbërisë.
“Drita ka bërë një hap të madh me fitoren e arritur sot, por ende nuk ka mbaruar asgjë. Të tri skuadrat janë në garë, ndërsa Drita sot demonstroi lojë të pjekur dhe shumë bindëse me shumë aksione. Por ende ka lojë dhe çdo gabim nga të tria skuadrat mund të largojë nga gara njërën nga këto tri ekipe. Për momentin Drita ka një avantazh të lehtë, por ende nuk ka mbaruar lufta. Prishtina është ende në garë për Kupë edhe pse humbi ndeshjen e parë. Vendimtare do të jenë ndeshjet e ndërsjella, kjo pa dyshim. Do të jenë edhe ndeshje për t’u parë se kush vërtet e meriton titullin. Ai ekip që ka më shumë qetësi e durim dhe lëndime më pak në përbërje, do të jetë kampion, ndërsa në anën tjetër po shohim një rënie të formës së Arbërisë në këtë fazë. Por mendoj se ende është në garë me ekipet si Drenica e Llapi, sepse diferenca nuk është e madhe”, ka thënë Selimi.
Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, arsyetoi Llapin në një mënyrë për humbjen.
“Nuk diskutohet që është shumë vështirë për të fituar në këtë fushë, ishte një pjesë e parë e barabartë, pastaj jam i kënaqur që ne e shfrytëzuam pjesën e dytë në mënyrën më të mirë për të marrë të tri pikët. Ne e dinim që skuadra e Llapit është e lodhur nga ndeshja e Kupës ndaj Prishtinës”, ka thënë Nuhiu.
Edhe vetë trajneri i Llapit, Tahir Batatina, thotë se kanë qenë të lodhur nga ndeshja për Kupë.
“E dija që do të ishte e vështirë, por ne ishim të lodhur nga ndeshja me Prishtinën. E kuptoj rëndësinë e ndeshjes, skuadra si Prishtina, Ballkani, Drita dhe Llapi kur japin maksimumin në një ndeshje, kanë probleme në ndeshjen tjetër. Ky është futbolli, duhet të mendojmë për lojërat e radhës”, është arsyetuar Batatina.
Ndërkohë, trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, thotë se ka qenë fitore e mundimshme ajo e arritur ndaj Drenicës në udhëtim.
dinim që kishim përballë një skuadër e cila është ters për ne. I uroj futbollistët për fitoren, ishte një fitore mjaft e mundimshme, sepse gjendja psikologjike pas humbjes në mesjavë nuk ishte ashtu siç duhet”, tha Ramadani.
Superliga – Java 28
E diel
Drenica – Prishtina 0:1
(Shënues: Kryeziu 73’)
Llapi – Drita 2:4
(Shënues: Januzi 2’, Sadriu 32’ – Xh. Shabani 4’, 69’, Alidemaj 30’, Prisley 78’)
E shtunë
Ballkani – Besa 4:1
(Shënues: Korenica 5’, 69’, Gripshi 56’, Prekazi 80’ – Qorri 23’)
E premte
Arbëria – Trepça ‘89
(Shënues: Shala 8’)
1. Drita 28 18 7 3 46:22 61
2. Ballkani 28 18 4 6 62:32 58
3. Prishtina 28 17 6 5 46:17 57
4. Gjilani 28 11 10 7 30:26 43
5. Trepça ’89 28 10 5 13 28:38 35
6. Feronikeli 28 8 10 10 34:25 34
7. Llapi 28 10 3 15 38:43 33
8. Drenica 28 7 9 12 23:37 30
9. Arbëria 28 7 6 15 29:44 27
10. Besa 28 2 4 22 21:73 10
Orari i skuadrave pretenduese për titull
Java 29
Trepça ’89 – Drita
Prishtina – Arbëria
Feronikeli – Ballkani
Java 30
Drita – Prishtina
Ballkani – Gjilani
Java 31
Besa – Drita
Ballkani – Llapi
Prishtina – Trepça ‘89
Java 32
Drita – Feronikeli
Llapi – Prishtina
Drenica – Ballkani
Java 33
Besa – Prishtina
Gjilani – Drita
Ballkani – Arbëria
Java 34
Prishtina – Feronikeli
Drita – Ballkani
Java 35
Drenica – Drita
Gjilani – Prishtina
Ballkani – Trepça ‘89
Java 36
Prishtina – Ballkani
Drita – Arbëria