Trajneri i skuadrës së Drenicës, Tahir Lushtaku, e ka vlerësuar duelin kundër Malishevës si më të vështirin deri tani. Drenica mposhti Malishevën me rezultatin minimal, 1:0, në kuadër të xhiros së shtatë.
Me pikët e plota të marra të mërkurën në stadiumin “Bajram Aliu” në Drenicë, të udhëhequrit e Lushtakut morën edhe kryesimin në tabelë.
“Natyrisht se e kemi ditur që kemi të bëjmë me kundërshtarë të vështirë. E kam parashikuar si një prej ndeshjeve më të vështira deri tani. E kemi nisur ndeshjen mirë që nga minuta e parë. Krijuam rastet në fillim. Qëlluam shtyllën, patëm raste dhe erdhëm deri te goli, por edhe shpërdoruam shumë mundësi. Jam i kënaqur me pikët e plota”, theksoi pas ndeshjes trajneri Lushtaku. Drenica është lidere me 14 pikë, kurse Malisheva zë pozitën e katërt me 11 pikë, aq sa ka edhe Drita me një ndeshje më pak të zhvilluar. Në xhiron e tetë, Drenica udhëton te Ballkani kurse Malisheva e pret Gjilanin.