Drenica ka arritur fitore shumë të mundimshme në udhëtim te Malisheva në kuadër të xhiros së katërt të elitës së futbollit kosovar. “Kuqezinjtë” e udhëhequr nga trajneri Bekim Shotani, fituan në udhëtim te malishevasit me rezultatin 2:1, në stadiumin “Liman Gegaj”.
Mesfushori dhe kapiteni i skuadrës, Arbios Thaçi, në minutën e 30-të dhe qendërsulmuesi Bintsouka Koxy në minutën e 39-të, ishin shënuesit e golave për Drenicën. Për Malishevën realizoi Alban Shillova nga penalltia pas një ore lojë. Malisheva arriti të shënonte edhe krejt në fundin e ndeshjes me mesfushorin Behar Maliqi, por goli u anulua nga gjyqtari Ilir Mehmeti, pas rishikimit të sistemit VAR. Drenica pas katër ndeshjeve të zhvilluara ka po aq pikë, ndërsa Malisheva mbetet me tri pikë në tri ndeshje të luajtura. Edhe Malisheva nuk ka zhvilluar takimin e xhiros së parë ndaj Ballkanit. Në xhiron e pestë, Malisheva udhëton te Trepça ’89 ndërsa Drenica e pret në shtëpi Ferizajn.