Zuerich, 28 mars – Granit Xhaka po arrin një shifër jubilare që pak lojtarë e kanë arritur para tij, ka shkruar sajti zviceran “srf.ch” të hënën mbrëma. 29-vjeçari do të luajë ndeshjen e 100-të për Zvicrën, të martën mbrëma. Para tij këtë shifër ndeshjesh për Zvicrën e kanë arritur vetëm Heinz Hermann, Alain Geiger, Stephane Chapuisat, Stephan Lichtsteiner dhe Xherdan Shaqiri.
Fakti që ndeshjen e 100-të për Zvicrën, Xhaka e luan ndaj Kosovës, vendit prej nga e ka prejardhjen, e bën edhe më të veçantë gjithë rrëfimin.
“Nëse do të shkruaja një libër për karrierën time do të ishte saktësisht kështu”, ka thënë kapiteni i Zvicrës, Xhaka, për “srf.ch”.
Kanë kaluar gati 11 vjet prej kohës kur mesfushori debutoi për ekipin nacional të Zvicrës. Ai e ka bërë këtë në stadiumin ndoshta më tradicional në botë, në “Wembley” të Londrës, në ndeshjen kualifikuese për Evropian (2:2). Xhaka ende e kujton shumë mirë ndeshjen e 6 qershorit të vitit 2011.
“Kam qenë i bindur se do të jem emocionalisht i gatshëm. Por kur nisi intonimi i himnit kam dashur të kërkoja nga Ottmar Hitzfeld që të më largonte nga fusha. Isha shumë nervoz”, thotë Xhaka.
Edhe
BBC me shkrim të gjatë për Xhakën, që u fye tek Arsenali por ringjalli karrierën
Në rrugën drejt ndeshjes së 100-të, Xhaka ka përjetuar shumë ngritje e rënie.
Kupa e Botës 2014, ngjarja e parë e madhe: Xhaka, atëherë ende lojtar i krahut të djathtë, ka luajtur rolin e tij në paraqitjen e fuqishme të Zvicrës në 1/8 e finales ndaj Argjentinës. “Nati” humbi 1:0 pas vazhdimeve.
“Të gjithë argjentinasit në stadium na duartrokitën pas ndeshjes dhe na dëshmuan se sa afër ishim”, ka kujtuar Xhaka.
Evropiani 2016, dueli vëllazëror: Në fillim të fazës grupore Zvicra luajti me Shqipërinë. Granit Xhaka u përball me vëllain e tij, Taulantin. Një përvojë që do të kujtohet përherë.
“Në aspektin e emocioneve është një prej tri momenteve kryesore në karrierë”, thotë Granit Xhaka.
Edhe
Xhaka shpërthen në lot pasi e udhëhoqi Zvicrën drejt historisë
Kupa e Botës 2018, ndeshja vendimtare me Serbinë: Falë fitores 2:1, Zvicra hapi dyert drejt një të tetës së finales. Mbetet në kujtesë festa me shqiponjë e Xhakës e Shaqirit pas fitores ndaj Serbisë. Në një të tetën e finales rezultati ishte pak dëshpërues për Zvicrën. Ndeshja ishte me Suedinë.
“Në ndeshjen ndaj Serbisë kam humbur shumë energji. Fokusi humbi plotësisht”, ka thënë Xhaka.
Me ndeshjen ndaj Kosovës në stadiumin e mbushur në Zuerich, nuk ka dyshime që një moment kulmor do të pasojë për Xhakën. E njëjta mund të thuhet për Shaqirin dhe Andi Zeqirin, që po ashtu kanë prejardhje nga Kosova.
Selektori Murat Yakin është i vetëdijshëm për karakterin e veçantë të ndeshjes.
Edhe
Xhaka duhej ta gjuante penalltinë e tretë, por pse vendosi për të parën?
“Po bëhet emocionale. Rezultati gjithnjë është i rëndësishëm, por qartë se ka prioritete tjera të martën”, ka thënë Yakin.
Mbi të gjitha, Yakin pritet ta shfrytëzojë ndeshjen me Kosovën për të provuar lojtarë të rinj.