Bastoret kryesore kanë ndaluar bastet për fituesin e çmimit lojtari i ndeshjes në Kupën e Botës mes frikës së një mashtrimi që mund t'u kushtojë atyre miliona, shkruan “Daily Mail” të mërkurën. Çmimi për lojtarin më të mirë të ndeshjes vendoset nga një votim publik në faqen e FIFA-s, kështu që është i hapur për manipulime dhe janë zbuluar prova të lajmëruesve të mediave sociale që u bëjnë thirrje dhjetëra mijëra ndjekësve të tyre të votojnë për lojtarët për të cilët kanë vënë bast.
Lojtarit të ndeshjes iu dyfishua vlera e basteve javën e kaluar me FIFA-n që nuk bëri asgjë për të ndaluar një ndërhyrje të tillë. Disa nga lajmëtarët gjithashtu kanë inkurajuar bastvënësit të thyejnë rregullat e FIFA-s, të cilat vendosin një kufi për një votë për person, duke nxjerrë një video që tregon se si të regjistrohen për të votuar më shumë se një herë.
Llogaritë e bastvënësve drejtohen kryesisht nga lojtarë profesionistë që pretendojnë të ofrojnë këshilla për lojtarët e rastësishëm, por gjithashtu kërkojnë të ndikojnë në tregjet e basteve për të fituar para edhe për veten. Ky manipulim i dukshëm i tregut prodhoi një mori lojtarësh që papritur u shpallën më të mirët e ndeshjes, si kapiteni i Uellsit, Gareth Bale, kundër SHBA-së dhe më pas Kevin de Bruyne, i cili tha pas fitores 1:0 të Belgjikës ndaj Kanadasë: “Unë nuk mendoj se luajta mirë dhe nuk e di pse e mora çmimin. Ndoshta është për shkak të emrit tim”.
Është bërë e ditur se si rezultat i emrave të papritur futja e basteve për më të mirët e ndeshjeve është dyfishuar nga 100 në 200 mijë euro javën e kaluar, gjë që ka ndikuar që bastoret mos të lejojnë bastet për këtë kategori në Kupën e Botës.
Bastoret u trembën veçanërisht pasi Cristiano Ronaldo fitoi çmimin e më të mirit në fitoren 3:2 të Portugalisë ndaj Ganës të enjten e kaluar, për shkak të sasisë së basteve të vendosura. Ndërkohë, për Neymarin që të shpallej më i miri në duelin mes Serbisë dhe Brazilit ishin vënë në total hiç më pak se 1.5 milionë euro baste.
Një lajmëtar u mburr se kishte marrë 70 vota për Neymarin në një mesazh të zbuluar, megjithëse nuk arriti të shpërblehej pasi Richarlison fitoi çmimin pasi sulmuesi i Paris Saint-Germainit u lëndua. Bastoret “Sky Bet” dhe “William Hill” ishin mjaft të shqetësuar dhe fundjavën e shkuar tashmë kanë ndaluar bastet për lojtarin më të mirë të ndeshjes.
“Ne monitorojmë vazhdimisht performancën e të gjitha tregjeve tona dhe me këtë rast morëm një vendim për të tërhequr këtë kategori të veçantë”, tha një zëdhënës i “Sky Bet”.
FIFA është në dijeni të çështjes, por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim. Ndonëse çmimi është vendosur zyrtarisht nga një sondazh i tifozëve, mësohet se paneli i votimit monitorohet nga zyrtarët e FIFA-s gjatë gjithë ndeshjeve për t'u siguruar që rezultatet janë në përputhje me atë që po ndodh në fushë. Organi qeverisës botëror nuk ka thënë nëse e kishte anuluar votimin për të siguruar që Richarlison të shpallej lojtari i ndeshjes përpara Neymar ose nëse ka ndikuar në ndonjë sondazh tjetër të tifozëve në Kupën e Botës. Vetë çmimi është një vazo e madhe e kuqe me emrin “Budweiser” të shkruar përgjatë bazës.
Megjithatë, FIFA është siguruar që trofeu të mos mbajë emrin e markës së birrës kur u jepet lojtarëve nga vendet ku alkooli është i ndaluar. Emri mungoi kur Rouzbeh Cheshmi i Iranit u shpall lojtari më i mirë kundër Uellsit dhe kur portieri Mohammed Alowais e fitoi atë pasi Arabia Saudite mundi Argjentinën 2:1.